EmailFacebookKontakt

Shenjtërim i gjithë Krijesës

– Kryepiskopi Anastas kremtoi Ujët e Bekuar mes besimtarëve durrsakë.

E kremtja e shndritshme e 6 Janarit, Pagëzimi i Zotit tonë Iisu Krisht në ujrat e lumit Jordan, është e shënuar për çdo besimtar orthodhoks, sepse ndjen akoma më pranë “ndriçimin dhe përtëritjen e tërë Krijesës”. Vargjet e troparit të kësaj dite “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot, falja e Trinisë u shfaq…” rrjedhin ëmbël nga zemra e çdo njeriu, si një falenderim madhështor ndaj veprës së Perëndisë. Të tillë atmosferë ndjeje kur ngjiteshe të shtunën e 6 Janarit drejt Kishës së Shën Gjergjit në Durrës.

Ky qytet këtë radhë pati veçantinë që të kishte në gjirin e tij Kryepiskopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij Anastasin, që kishte ardhur të bekonte të gjithë ujrat e qytetit. Liturgjia Hyjnore u pasua me predikimin e ngrohtë të Kryepiskopit, i cili në fjalën e tij theksoi se “…në këtë ditë, kur ne festojmë shfaqjen e Trinisë së Shenjtë nëpërmjet pagëzimit të Birit të Perëndisë Iisu Krishtit… ndjejmë shenjtërimin e jetës. Uji është elementi thelbësor i gjithë Krijesës dhe në veçanti i jetës. Duke shenjtëruar ujrat Krishti shenjtëron thelbin e jetës, për të shenjtëruar kështu të gjithë Krijesën, si atë njerëzore ashtu edhe natyrën.”

Shërbesa e Ajazmës së Madhe i shtoi akoma më tepër emocionet e besimtarëve, të cilët donin të ndjenin mbi kokat e tyre stërklat e vogla të ujit të bekuar, që Kryepiskopi shpërndante me borzilokun dhe kryqin në dorë. Nën tingujt e këmbanave, korteu i udhëhequr nga Kryepiskopi filloi të zbriste rrugën drejt detit të gjerë dhe të ftohtë. Mëngjesi i ftohtë i kishte lënë tani vendin një dielli të shndritshëm, si në një ditë pranvere. Të gjithë besimtarët ecnin duke kënduar troparin e ditës. Njerzit ndalonin në të dy anët e rrugës plot respekt, nderonin dhe bashkoheshin me korteun e madh të besimtarëve. Ndjenin që pranë tyre po kalonte bekimi i jetës. Deti i ftohtë dhe i egër i këtyre ditëve ishte qetësuar dhe priste djemtë që do të hidheshin në gjirin e tij për të kapur Kryqin. Të gjithë zgjateshin për të parë aty kush do të kishte nderin ta kapte Kryqin nga ata djem. Të gjithë ishin të emocionuar, të gëzuar, të përtërirë brenda vetes së tyre kur shihnin sesi Kryqi ngrihej lart në duart e puthej plot gëzim nga i riu që e kapi, i cili u drejtua tek Kryepiskopi për të marrë bekimin.

Ky det i egër dhe i kobshëm për të gjithë ne, gjatë këtij viti që kaloi, det i luftrave dhe i viktimave të ëndrrave tani mban në vetvete bekimin e jetës. Pas ceremonisë, Kryepiskopi u rrethua nga një turmë e madhe besimtarësh, të cilët kërkonin kush e kush më parë “ti rrëmbente” bekimin. Fjalët e tij, që u drejtoheshin të gjithëve, se “Drita e Krishtit, që na ndriçon brenda Shpirtit tonë të na udhëheqë gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë jetës sonë”, ishin një urim personal për secilin dhe i çdo besimtari për njëri-tjetrin.

Erion Prifti