Pas një sëmundjeje, më 16 janar fjeti theologu Dhimitër Beduli, Sekretar i Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Z. Dhimitër Beduli u lind më 10 korrik 1914, në Skore të rrethit të Gjirokastrës. Studimet e mesme i kreu në Athinë e më pas vazhdoi për theologji në Rumani, ku studioi edhe muzikë bizantine.
Në fillim të viteve ’30, filloi punë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku dha një kontribut të spikatur si drejtues i Seminarit “Shën Pavli” dhe botues i revistës së mirënjohur orthodhokse “Jeta Kristiane”.
Mbas luftës, me mbylljen e Seminarit nga regjimi komunist, vazhdoi të punonte në Kishë, si mësues katekizmi e psalt. Me mbylljen e kishave, punoi në Uzinën Mekanike (Kombinati i Autotraktorëve), ku la përshtypje të paharrueshme për këdo që e njohu, por, gjithmonë, pa hequr dorë nga besimi i tij, duke i kryer fshehurazi gjithë festat e të kremtet fetare orthodhokse. Rikthimi i lirisë fetare, për profesor Bedulin ishte një ëndërr e realizuar pas kaq vitesh ateizmi, ndaj u hodh me mish e me shpirt, me gjithë gjendjen jo të mirë shëndetësore, në punën titanike për ringritjen nga themelet të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale, duke u bërë krah i Kryepiskopit Anastas në këtë mision të shenjtë.
Ndihmesa e tij ishte tejet e madhe edhe në Seminarin Orthodhoks të Durrësit, për krijimin e brezit të ri të klerikëve. Ai ishte Kryetar i Këshillit Botues dhe bashkëpunëtori më i rregullt i gazetës “Ngjallja”, që nga krijimi i saj. Për gjithë kontributin e tij të paçmuar ishte zgjedhur Sekretar i Këshillit të Përgjithshëm Fetar të KOASH-it, që me rikrijimin e tij, në vitin 1991.
Me fjetjen e profesor Dhimitër Bedulit, familja humbi njeriun e dashur dhe Kisha një njeri që i kishte kushtuar gjithë jetën përhapjes së mësimeve të Perëndisë. Zoti ia prehtë shpirtin në krahun e Tij.
Shënim i redaksisë: Këtë lajm të hidhur e morëm ndërsa gazeta ishte në shtyp, ndaj s’mundëm t’i japim vendin që i takonte.