EmailFacebookKontakt

Mes atyre që të flasin me sy e të dëgjojnë me shpirt

– Të rinjtë orthodhoksë vizitojnë shkollën e atyre që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë e flasin.

Ndërsa mendohej të bëhej një vizitë tek ata filiza të njomë në ditën Ndërkombëtare të Handikapatëve, një prej të rinjve tha: “Vërtet, nuk mund t’u japim ato që atyre u mungojnë, të folurit apo të dëgjuarit, por le t’u japim pak nga shpirti ynë, pak nga ajo dashuri që shumë prej tyre s’kanë arritur ta marrin as prej prindërve.” Por edhe do të merrnim mjaft nga shpirti i pastër i atyre fëmijëve, që jeta i ka goditur aq fort.

Drejtuesit e kësaj shkolle ishin të gëzuar të dëgjonin lutjen tonë tek Perëndia për këta fëmijë. Në atë cep të harruar qyteti, heshturazi dhe mbylltazi, lëvrinte jeta. Fillimisht shenja habie, tinguj të mbytur, që u shndërruan në kuriozitet. Mjaftoi shenja e kryqit, bekimi që at Luka u dha me lutjen e tij, tingujt e himneve kënduar prej të rinjve, që atmosfera të ndryshonte. Diku – lëvizje imituese të shenjës së kryqit, për të treguar se nuk janë të vetëm, tashmë kanë miq. Ato fytyra fillimisht të akullta, të imëta, të trembura po ndryshonin. Buzët që formonin trajta të përgjysmuara buzëqeshjesh, duket se kishin arritur të ndjenin ngrohtësinë që vetë Krishti u fali njerëzve për njëri-tjetrin.

Afroheshin, të përkëdhelnin, donin të bisedonin, lëvizin gishtërinjtë e njomë për të formuar gërmat e emrave të tyre. Ato duar të vogla ngriheshin lart, bekoheshin. Kudoqofshin, Perëndia nuk i harron fëmijët e Tij. Ai i do të gjithë, edhe këta fëmijë që më tepër se kushdo tjetër kanë nevojë për dashuri miqsh, dashuri që përcjell dhe vizita e këtyre të rinjve, për të cilët fatkeqësia e atyre fëmijëve nuk i pengon t’i quajnë motra e vëllezër më të vegjël. Së fundi, jo të papritura, lotët në sytë e të rinjve që largoheshin nga ky skaj i vetmuar i qytetit me përshëndetjet e atyre që dinë të të flasin me sy e të të dëgjojnë me shpirt, me premtimin se do të kthehesh sërish tek ta.

Perëndia nuk i harron, sepse edhe ata e ndjejnë me shpirt praninë e gjithëkund të Tij.

Venian Mile