EmailFacebookKontakt

Shën Vasili i Madh

Ishte nip dëshmori dhe bir prindërish të pasur, fisnikë dhe shpresëtarë, që quheshin Vasil i ati dhe Emelia e ëma, të cilën rusët sot e kremtojnë si shenjtore. Vëllezër kishte Shën Grigorin e Nisës (10 janar), oshënaren Makrina (19 korrik) etj. Lindi në Neoqezari të Pontit të Azisë së Vogël, rreth vitit 330 dhe u edukua nga babai i tij, që ishte mësues dhe orator. Pas vdekjes së të atit (v.345), ai studioi filozofi, retorikë, filologji, astronomi dhe mjekësi në Qezari të Kapadokisë, në Azinë e Vogël, ku u njoh e u bë mik i ngushtë me Shën Grigor Theologun (25 janar). Ka studiuar edhe në Konstandinopojë dhe në Athinë (352-356), ku së bashku me Shën Grigorin krijuan shoqatën e parë kristiane të studentëve. Më pas punoi si mësues retorike në Qezari dhe pati shumë sukses. Shumë nga familja e tij ishin bërë murgj në një pronë të tyre në Pont. Edhe Vasili (=mbretëror, i jashtëzakonshëm), u pagëzua e studjoi Krishtërimin. Më vonë ai vizitoi manastiret e Sirisë, Mesopotamisë, Palestinës dhe Egjiptit. U bë dhiak dhe u ushtrua në një vend të shkretë në Pont, rreth viteve 360-365, ku, me ndihmën e bashkëushtruesit të tij, Grigor Theologut, i vuri monakizmit themelet e organizimit të tij. Në vitin 365, tashmë presviter, u vendos në Qezari, për të përballuar rrezikun e arjanëve heretikë dhe në v.370 u arrit të bëhej episkop i saj. Nuk i përfilli kërcënimet e Modestit, i dërguar i perandorit arian Uali (364-378). Ky i fundit, në vend që ta internonte, e mbështeti në qytetin e institucioneve filantropike, në të famshmen “Vasiliadha”, që ish krijim i shenjtit. Por i shkëputi një pjesë nga zona e tij. Atëhere ai bëri episkopë dy Grigorët. Vëllanë e vet e hirotonisi episkop të Nisës, ndërsa mikun e vet episkop të Sasimit. Vasili u shqua si udhëheqës dhe bashkues i orthodhoksëve, por, duke qenë prej kohësh i sëmurë, u thye herët. Në varrimin e tij (1.1.379) pjesëmarrja ishte jashtëzakonisht e madhe saqë u shkaktuan edhe vdekje. Mësuesi ekumenik shkroi vepra të famshme: apologjetike (për të rinjtë, si të përfitonin nga letrat greke dhe Gjashtëditëshin (Heksaimeronin) vepra interpretuese, dogmatike, asketike (Termat etj.), bërthamën e Liturgjisë së tij Hyjnore, omeli dhe treqind letra. Kremtohet më 1 janar.