EmailFacebookKontakt

I riu shtatëdhjetëvjeçar

Thuhet se dikur një njeri i urtë kërkoi ngopjen e tij shpirtërore në burime të ndryshme. Në urtësi. Në para. Në argëtime. Në kënaqësi. Por asgjë. Boshllëku bëhej gjithmonë edhe më i thellë brenda tij. Uria e papërmbajtur shpirtërore e gryente së brendshmi. Vitet kalonin. Flokët thinjeshin dhe ai trishtohej mes vështirësive ekonomike dhe etjes shpirtërore. Por, kur arriti 63 vjeç ky njeri njohu rastësisht Ungjillin dhe u lidh ngushtë me Krishtin. Botë e re dhe horizonte të reja u hapën para tij. Ujëvarë gëzimi dhe lumturie filloi të rrjedhë brenda tij dhe të bëjë pjellore djerinat e shpirtit të tij. Vitet veçse kishin kaluar dhe në moshën 70 vjeç e vizitoi vdekja. Para se të vdiste ky njeri i urtë me shumë përvojë porositi që mbi varrin e tij të shkruanin: “Këtu prehet plak 70-vjeçar, i cili jetoi vetëm 7 vjeç”. Vetëm vitet që jetoi pranë Krishtit, vetëm ato ndjeu dhe llogariti si vite të jetës së vërtetë, vite të ngopjes shpirtërore dhe materiale.