Fortlumturi,
Së pari, do të dëshiroja të shprehja gëzimin e gjithë anëtarëve të Degës së Theologjisë dhe të Rektoratit të Universitetit “Aristotel”, për faktin që ndodheni sot midis nesh, në këtë mbledhje solemne të Degës, që ju është kushtuar Juve.
Qendra e realitetit është Perëndia dhe Mbretëria e Tij hyjnore. Mbi të themelohet realiteti i besimit të krishterë. Në këtë ontologji bazohet çdo veprimtari e krishterë mbi tokë.
Kisha është misteri i pranisë së Perëndisë dhe i transformimit të botës. Kjo nuk do të thotë se largohet nga ana jonë materiale, me njërën ose tjetrën mënyrë, por duke e parë jetën në universalitetin e saj, ajo punon për ndryshimin e së tashmes, të shoqërisë dhe të tërë krijesës me një dinamikë tjetër. Ky dimension çon në një dialog krijues me të gjitha ato forca që mund të krijojnë kulturë.
Dimensioni radikal dhe gjithnjë i ri që nxjerr në pah, është dashuria. Krishti hodhi mënjanë tipat e vendosur të autenticitetit, të lavdisë, të shpresëtarisë, të parimeve dhe vlerave tradicionale, zbuloi se qendra e gjallë është dashuria, pasi dashuria është vetë Perëndia, dhe i ftoi njerëzit të ndjekin modelin triadik dhe të komunikojnë midis tyre.
Me dashurinë lidhen drejtpërdrejtë liria, drejtësia, çlirimi dhe vëllazërimi i gjithë njerëzve, e vërteta, harmonia, gëzimi dhe plotësia e jetës.
Krishti dha modelin e dhiakonisë duke u bërë një me të dobëtit dhe të përndjekurit. Kjo perspektivë është përcaktuese për Kishën e Tij dhe veprën e saj në të gjitha kohërat. E fton të luftojë për dinjitetin dhe lirinë njerëzore.
Veçanërisht i rëndësishëm për epokën tonë është të mësosh të shohësh botën me sytë e të varfërve e të pafuqishmëve, me sytë e atyre që pësojnë padrejtësitë e botës së sotme me mënyra të ndryshme dhe të kujdesesh për ta, pavarësisht nga raca apo besimi i tyre. Shenjtorët e Kishës sonë jo vetëm që flasin për të varfërit dhe të përndjekurit, por, mbi të gjitha, ata kujdesen për jetën e tyre.
Do të kujtoj ato që tha Shën Gojarti. Eshtë tregues kurajoje të luftosh për të drejtën e tjetrit. Edhe Grigor Pallamai më vonë, duke nënvizuar pamjen paqësore të Selanikut të krishterë, theksoi se të gjithë njerëzit janë bij të të njëjtit At Perëndi dhe midis tyre janë vëllezër.
Pavarësisht nga ndryshimet kulturore, njerëzit e kohës sonë përballojnë, ku më shumë e ku më pak, të njëjtat probleme bazë njerëzore.
Dhiakonia e Kishës zë vend në kuadrin e evenimentit shoqëror dhe njerëzor. Kështu, që çdo shprehje e krijimtarisë njerëzore, shkencës, teknologjisë dhe marrëdhëniet e personave, popujve dhe grupeve të ndryshme, bëjnë pjesë në përkujdesjet e saj. Kjo dhiakoni e saj nuk kufizohet vetëm tek njerëzit, por shtrihet në të gjithë krijesën dhe kujdeset për normalizimin e marrëdhënieve të njeriut me të.
Të gjitha sa përmenda, po sintetizojnë veprën paqësore të Kishës dhe të Theologjisë në botën e sotme.
Ju, si theolog akademik, hierapostull, punonjës ekumenik dhe hierark i Kishës Orthodhokse, zgjodhët të edukoni (sa u thanë më lart janë fjalë tuaja) dhe të shprehni, me anën e veprës suaj, këtë fytyrë paqebërëse të Kishës, e cila krijon kulturën e pajtimit dhe të komunikimit midis njerëzve. Me këtë fytyrë Ju jeni i njohur dhe i afirmuar botërisht.
Prandaj, për Degën e Theologjisë së Universitetit “Aristotel” të Selanikut është nder i veçantë t’Ju shpall sot Doktor nderi, duke nderuar njeriun, shkencëtarin me famë botërore, punonjësin ekumenik, hierarkun e mirë e të vyer të Kishës Orthodhokse.
Kryetari i Degës së Theologjisë
Prof.Dr. Petrou