EmailFacebookKontakt

Nektar shpirtëror: Mësimi i Oshënarit

Një i krishterë vajti të këshillohej me Avva Siluanin.

– Kam një armik për vdekje, At, iu rrëfye. Të këqiat që më ka bërë ai njeri nuk mund të numërohen. Para ca kohësh fitoi me mashtrim një sipërfaqe të madhe nga ara ime. Shpif kudo ku gjendet dhe përgojon mua dhe familjen time. Më ka bërë jetën të padurueshme. Tani kërkon të më marrë edhe jetën. Para pak ditësh mësova se tentoi të më helmonte. Nuk mban më. Jam i vendosur t’ia dorëzoj drejtësisë.

– Bë si të duash, i tha Avva Siluani me indiferencë.

– Nuk mendon, At, se kur të dënohet dhe madje rreptë, siç e meriton, do të shpëtojë shpirti i tij? – pyeti ai njeri që tani filloi të interesohej për përfitimin shpirtëror të armikut të tij.

– Bë atë që të qetëson, vazhdoi të thoshte me të njëjtin qëndrim Oshënari.

– Po shkoj atëhere menjëherë te gjykatësi, – tha i krishteri dhe u ngrit për të ikur.

– Mos u nxito kaq shumë, – i tha me qetësi Oshënari. – Le të lutemi në fillim që Perëndia të ndihmojë veprën tënde.

Filloi lutjen “Ati ynë”. “Dhe mos na i fal fajet tona, ashtu si edhe ne nuk ua falim fajtorëve tanë”, u dëgjua të thoshte me zë të lartë Oshënari kur arriti te ai varg.

– Gabim, Avva, nuk thotë ashtu Lutja e Zotit, nxitoi ta korrigjonte i krishteri.

– Por kështu është, ama, – iu përgjigj Jerondi me gjithë qetësinë e tij. Përderisa vendose të dorëzosh vëllain tënd te gjykatësi, Siluani nuk bën lutje tjetër për ty.

Marrë nga libri “Jerondihon”