EmailFacebookKontakt

Nektar shpirtëror: Përqafimi vëllazëror

Thonë se Shën Markiani shkonte netëve në lagjet e varfëra të qytetit ku jetonte dhe mblidhte kufomat e të vdekurve të braktisur. I lante me duart e tij, i mbështillte me savane dhe i çonte në Kishë për t’u bërë shërbesën dhe të nesërmen në mëngjes i varroste. E kishte bërë, gjithashtu, zakon që t’i përqafonte para se t’i linte vetëm në Kishë.

Dikur ndodhi ky paradoks: I vdekuri ishte një plak i shumëvuajtur, i munduar nga jeta. Dukej sikur e kishte pritur vdekjen i lehtësuar. Shën Markiani i bëri shërbimet me gjithë zemër, thua se i vdekuri e ndjente. Në fund e vendosi në krevatin e të vdekurve në narthika të kishës. Kur ishte gati për të ikur, u kthye nga i vdekuri dhe i tha:

– Eja, vëllai im, të puthemi si bij të Krishtit.

Atëhere i vdekuri, me mirënjohje, duke iu bindur ftesës së bamirësit të vet, u ngrit në arkivol, shkëmbeu me të përqafim vëllazëror dhe ra përsëri në gjumin e përjetshëm. Shenjtori doli pa zhurmë nga kisha, sikur të kishte ndodhur gjëja më e natyrshme në botë. Por një tjetër prift, që rastisi atë cast në Kishë, ndiqte pa u parë këtë skenë të mrekullueshme dhe nga goja e tij u përhap në të gjithë qytetin.