EmailFacebookKontakt

Përse ndezim kandilin

Së pari. Sepse besimi ynë është DRITË. Krishti tha: “Unë jam drita e botës”. Drita e kandilit na kujton DRITËN, me të cilën Krishti ndriçon shpirtrat tanë.

Së dyti. Për të na kujtuar se edhe jeta jonë duhet të jetë e ndritshme porsi ajo e shenjtorëve, domethënë e njerëzve që apostulli i shenjtë Pavli i quan BIJ TË DRITËS.

Së treti. Për të qortuar veprat tona të errëta, kujtimet dhe dëshirat tona të liga. Dhe në këtë mënyrë t’i risjellë të gjitha në udhën e dritës së Ungjillit të Shenjtë. Për të ndritur “drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt”.

Së katërti. Eshtë një sakrificë e vogël nga ana jonë, shenjë dhe tregues i mirënjohjes dhe dashurisë që i detyrohemi Perëndisë për flijimin e madh që bëri për ne. Me të dhe me lutjen tonë E falenderojmë për jetën, për shëndetin, për shpëtimin dhe për të gjitha sa na fal dashuria e Tij hyjnore dhe e pafundme.

Së pesti. Për të qenë tmerr i fuqive të errësirës, që na sulmojnë me djallëzi të veçantë përpara dhe gjatë kohës së lutjes dhe dëshirojnë kështu të largojnë mendimin tonë nga Perëndia. Demonët duan errësirën dhe i DRIDHEN DRITËS: Krishtit dhe atyre që duan Krishtin.

Së gjashti. Për të na nxitur në VETSAKRIFICË. Domethënë, ashtu si fitili në kandil digjet me vajin, edhe vullneti ynë të digjet me flakën e dashurisë për Krishtin dhe t’i nënshtrohet gjithnjë vullnetit të Perëndisë.

Së shtati. Për të mësuar se: Ashtu si kandili nuk ndizet pa duart tona, ashtu edhe kandili i zemrës sonë nuk ndizet pa duart e Perëndisë. Mundimet e virtyteve tona janë lënda djegëse (fitili dhe vaji) që për t’u ndezur dhe për të ndriçuar kanë nevojë për “zjarrin” e Shpirtit të Shenjtë.