– Në Korçë u zhvillua “Java Orthodhokse”, organizuar nga Mitropolia e Shenjtë.
E veçantë e festimit të Krishtlindjeve në dioqezën e Korçës ishte organizimi nga Mitropolia e Shenjtë i Javës Orthodhokse, nga 25-30 dhjetor 1995. Ideja kishte lindur që para dy muajve dhe disa herë Këshilli kishtar ishte mbledhur për të caktuar detyrat, për ta përfaqësuar sa më denjësisht orthodhoksinë korçare në këtë veprimtari. U ndanë detyrat për çdo klerik, anëtar të Këshillit, nga Lidhja e intelektualëve, rinisë e gruas orthodhokse.
Të hënën 25 dhjetor, mbasdite, në sallën e Muzeut Ikonografik të Katedrales Burimi Jetëdhënës, u hap Java e Orthodhoksisë. Megjithëse pjesëmarrja ishte me ftesa, interesimi shumë i madh. Merrnin pjesë kryetari i Bashkisë, Kryetari i rrethit, deputetë, të ftuar nga partitë politike, shoqatat etj. Fjala e Hapjes së këtij aktiviteti i takonte Kryetarit të dioqezës së Korçës, Protopresviter At Jani Trebicka. Pastaj u bë predikimi “Lindja e Krishtit”, nga At Ilia Kotnani.
“Historiku i Kishës dhe roli i Kryepiskopit Anastas në rimëkëmbjen e saj”, ishte tema që u mbajt nga At Jani Trebicka. Në të u ngritën lart vlerat e figurave të shquara të orthodhoksisë shqiptare, gjatë periudhave të ndryshme historike, qysh nga Kristoforidhi, Imzot Noli e shumë të tjerë. Vlerësim të veçantë kishte roli i Hirësisë së Tij, prof. dr. Anastasit, si dijetar e klerik, në rimëkëmbjen e orthodhoksisë shqiptare, aq tmerrësisht të shkatërruar. Ngritja e seminarit teologjik të Durrësit, dhe përgatitja në vend e klerikëve shqiptarë, është një arritje madhore e Imzot Anastasit, plus kontibuteve të tjera të jashtëzakonshme. Tema u ndoq me shumë interesim nga të pranishmit; dhe u duartrokit ngrohtësisht.
Sipas programit, u vazhdua me një koncert dinjitoz nga kori i kishës së Shën Ilisë, drejtuar nga maestro Jorgaq Hano; dhe më tej me një koncert nga orkestra e harqeve të Shkollës së muzikës “Tefta Tashko”, drejtuar nga maestro Kostika Tanto, dhe në fund programi u mbyll nga kori i një grupi fëmijësh të talentuar. Gjithashtu, vlen të përmendet se në Korçë, megjithëse ka patur edhe më parë kore kishtare me muzikë bizantine, sot kjo traditë ka marrë një hov të madh e mbase po krijohen kushtet e krijimit të Shkollës bizantine në muzikë.
E martë 26 dhjetor, u mbajt tema “Gjendja e kishave në dioqezën e Korçës”, nga Vaskë Kolaci, i cili solli plot shembuj të punës së madhe që po bëhet për rindërtimin e kishave të shkatërruara nga diktatura dhe punët e mëdha që na presin, mbasi të marrim pronat që i takojnë Kishës sonë.
Nga Lidhja e rinisë orthodhokse ishin ftuar për të marrë pjesë edhe një grup të rinjsh orthodhoksë nga Athina, të cilët u miqësuan shpejt me vëllezërit e tyre korçarë. Në këtë ditë u shfaqën diapozitiva nëpërmjet të cilave bëhej një njohje e Orthodhoksisë në Ballkan, me pamje nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Greqia etj.
Pastaj, sipas programit, u dha koncert me pjesë kishtare bizantine dhe autorëve të mëdhenj klasikë nga kori i Katedrales Burimi Jetëdhënës, drejtuar nga Dhimitër Kondakçi. Dhe, në fund, si çdo ditë, pjesëmarrësit morën pjesë në mbrëmësore.
E mërkurë 27 dhjetor, veprimtaria u çel me “Jeta e Shën Stefanit”, mbajtur nga Jovan Joco. Pastaj u mbajt tema: “Kontributi i lidhjes së intelektualëve orthodhoksë” nga z. Thoma Piluri. Më tej, u vazhdua me koncert nga kori i kishës të Profet Ilisë dhe mbrëmësoren.
E enjte 28 dhjetor, në sallën e muzeut Ikonografik u mbajtën temat: “Kontributi i Ikonografëve korçarë” nga Kristofor Naslazi dhe Kristaq Balli; “Jetëgjatësia e ikonave nëpërmjet restaurimit të tyre”, nga Fatjana Caca dhe “Kontribut i lidhjes së grave orthodhokse” nga Vasilika Jakova. Pastaj vazhdoi programi me vizita në muzeun Ikonografik.
E premte 29 dhjetor, u mbajt tema: “Botimet fetare në vite”, nga Niko Dako; dhe më tej tema: “Kontributi i lidhjes së rinisë orthodhokse” nga Thimaq Dardha. U vazhdua me koncert të korit të Mitropolisë.
E shtunë 30 dhjetor, At Ilia Katundi mbajti predikimin “Ungjilli Baza e Jetës” dhe At Sotir Dinka “Jeta e Shën Vasilit”. Vazhdoi me shfaqje diapozitivash dhe koncert nga kori i Mitropolisë.
Me këtë program të bukur, dinjitoz dhe emocionues u mbyll “Java e Orthodhoksisë”, e cila mund dhe duhet të shërbejë si bazë në të ardhmen për programe më të arrira, dhe si shembull që duhet të përsëritet në të gjitha dioqezat e Shqipërisë.
Thoma Piluri