– Mbi 10 mijë vetë ndjekin ceremoninë e hedhjes së Kryqit të Shenjtë në ujërat e Osumit.
Ka nisur qysh në orën 9.00 grumbullimi i njerëzve pranë Urës së Goricës, vendi ku për të katërtin vit do bëhej hedhja e Kryqit në ujë. E kthyer tashmë në një festë tradicionale për gjithë qytetin, Epifania e këtij viti kishte si të veçantë daljen e Kryqit jo nga kisha e Shën Spiridhonit, e cila është në rikonstruksion, por nga ajo e Shën Thomait, e përuruar 1 muaj më parë nga Fortlumturia e Tij Anastasi. Nën vështrimet e mbi 10 mijë beratasve, proçesioni me Kryqin në ballë doli nga Shën Thomai rreth orës 09.45, duke u drejtuar tek ura, poshtë këmbëve të së cilës prisnin djemtë, që do të hidheshin në ujërat e akullta të lumit Osum për të kapur Kryqin e Shenjtë. Grupit i prinin At Vangjel Xoxe dhe At Petraq Simsia, pas të cilëve rreshtoheshin besimtarët orthodhoksë beratas.
Në të vërtetë, ceremoniali i kësaj dite nisi qysh në orët e para të mëngjesit, kur besimtarët mbushën kishën e Shën Thomait, duke ndjekur shërbesat. E ndriçuar nga mijërat e qirinjve të ndezur, salla e kësaj kishe do të vazhdonte të ishte e tillë edhe pas përfundimit të ceremonisë së hedhjes në lumë të kryqit, duke pritur të rinjtë dhe të rejat që donin të pagëzoheshin. Numërohen rreth 10 pagëzime brenda kësaj dite, kurse kjo gjë vazhdon normalisht edhe në ditët e tjera.
Në orën 10 At Vangjel Xoxe mban para duarve Kryqin, të cilin do ta hedhë nga parmakët e urës, ndërsa poshtë, midis ujërave të lumit, presin 12 të rinjtë kandidatë për t’u shpallur fitues Kryqit të Shenjtë. Rivaliteti midis 3 grupeve, që përfaqësonin lagjet Goricës, Murat Çelebi dhe Mangalem, zgjati rreth 10 minuta dhe pasi kaloi nëpër disa duar, Kryqi ngeli në ato të 23-vjeçarit Armando Avrami, banor i lagjes Goricë, duke bërë kështu mbetjen e tij për të katërtin vit brenda kësaj lagjeje të shquar për ndjenjat orthodhokse. Pas shpalljes fitues, 23-vjeçari Avrami, sipas traditës, nisi të trokasë dyerve të besimtarëve, për t’u prezantuar si “kampioni” i kapjes së kryqit të shenjtë për vitin 1996. Pas festimit një javë më parë të Krishtlindjeve, dita e “Ujit të Bekuar” është e para që hap “skenën” e festave të mëdha të krishtera për këtë Vit të Ri.
Xhovan Shyti