Fëmijët: Nëse dikush deri tani veç i kishte menduar engjëj, pasditen e 25 dhjetorit do t’i shihte të mbledhur në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë. Dhe vërtetë, ata fëmijë të veshur me të bardha, me kurora që vezullonin nën dritën e shandanëve, asgjë nuk do t’i bënte të dalloheshin nga ai korr engjëjsh që atë natë të shenjtë shpallën të gëzuar lajmin e lindjes së Shpëtimtarit Krisht. E në këtë gëzim të tyre – i pranishëm dhe Kryepiskopi Anastas, mes shumë e shumë besimtarëve, prindërve e fëmijëve që kishin ardhur për të ndjekur dramatizimin e përgatitur prej fëmijëve të përkujdesjes Ditore “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”. Brenda mjediseve të kishës atë moment lindi dhe njëherë Shpëtimtari. Nuk mungoi asnjë aty me fjalët e tij, as “Josifi” as “Moisiu” me foshnjen e porsalindur, as “barinjtë” kur morën lajmin prej engjëjve, as “mbretërit” me dhuratat e tyre në duar e mbi të gjitha fëmijët, që si engjëj të zbritur mbi tokë lavdëruan Perëndinë e kënduan me zërat e tyre engjëllore kalendat (Ding-dang, Mirmëngjes, zonja zotërinj) e këngë të tjera në shqip e gjuhë të huaj.
Të rinjtë: Pas atmosferës që krijoi programi i fëmijëve, një tjetër shfaqje do të ishtë në epilog të ditës së asaj të kremteje të madhe. Kori i të rinjve i përgatitur me aq dëshirë e pasion nga Studenti i Seminarit Teologjik, Joan Lena, do të shpaloste të gjallë para të gjithë të pranishëmve gëzimin e shpërthimit të një trëndafili brenda shpirtit të besimtarit, aroma e të cilit përhapet kudo. Të tillë aromë të mrekullueshme sollën këta të rinj me vargjet e recituara, me himnet “Virgjëreshë e kulluar”, “Faleminderit Zotit” apo me kalendat e Krishtlindjeve që ngritën lart zemrat e të gjithëve e shumë shpejt bashkohen zërat e tyre me zërat e të rinjve. Ngazëllimi i asaj dite nuk do veç fjalë për t’u shprehur do edhe lot, lot gëzimi që nuk munguan në sytë e atyre, brenda të cilëve lindi foshnja Krisht.
Kristina Hanxhari