EmailFacebookKontakt

Me Dritën e Krishtlindjeve në sy

– Kryepiskopi Anastas celebroi mes mijëra e mijëra besimtarëve të kryeqytetit.
– Në pritjen e rastit mori pjesë Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha.
– Festa solli edhe lajmin e gëzuar: Manastiri i Ardenicës dhe objektet e tjera do t’i kthehen kishës.

Të udhëhequr nga Drita, magët i drejtoheshin Dritës së Vërtetë. Një mrekulli që e shohim të përsëritet çdo vit. Prej dy mijë vjetësh. Por, tashmë, jo vetëm për tre njerëz të ditur, por për gjithë kombet e Botës. Eshtë ky Shkëlqim Hyjnor që ndriçon kremtimin e Krishtlindjeve. Kësaj Drite, që vjen prej Iisuit foshnje, iu afruan me besë e dashuri edhe gjithë ata që erdhën në Katedralen e Ungjillëzimit Të Hyjlindëses në kryeqytet, në Liturgjinë e mëngjesit të 25 dhjetorit, e cila u celebrua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, i cili iu drejtua klerit dhe besimtarëve orthodhoksë me mesazhin tradicional të Krishtlindjeve, të cilin e botojmë të plotë në këtë numër të gazetës.

Edhe pas Liturgjisë Hyjnore “lumi” i besimtarëve nuk u shterr për gjithë ditën, duke ruajtur atmosferën e festës deri në orët e mbrëmjes.

Në orën 12.00, në mjediset e Kishës Katedrale Ungjillëzimi i Hyjlindëses u bë pritja tashmë tradicionale, ku personalitete të jetës së vendit, përfaqësues të partive e shoqatave, të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri etj., erdhën për t’i shprehur Kryepiskopit Anastas dhe gjithë Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, urimet më të mira për Krishtlindjet dhe për mbarëvajtjen e punës për rimëkëmbjen e besimit në vendin tonë.

Erdhën për të uruar, Hirësia e Tij, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, Hirësia e Tij Baba Reshat Bardhi, Hirësia e Tij, Sheh Muhamet Pazari, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Alfred Sereqi, Ministri i Kulturës, z. Teodor Laço, Ministri i Shkencës e Teknologjisë, z. Maksim Konomi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Sali Kelmendi, përfaqësues të partive Socialiste, Republikane, Aleanca Demokratike, Demokristiane, PBDNJ-së, nga Akademia e Shkencave, Komiteti i Helsinkit, nga ambasadat e Rusisë, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, ish RF të Jugosllavisë, Palestinës, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përfaqësues të shtypit etj.

Për të uruar besimtarët orthodhoksë erdhi edhe Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha dhe zonja Berisha, të cilët u pritën në hyrje të Kishës nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, nën tingujt e këmbanave dhe korit të Katedrales së Ungjillëzimit.

“I jap urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve orthodhoksë, – thotë Presidenti, – për këtë ditë të madhe, të shënuar dhe jam shumë i gëzuar që festojmë çdo vit e më mirë”. Pastaj, biseda vazhdon miqësore midis Presidentii Berisha dhe Kryepiskopit Anastas, në një mjedis të mbushur me personalitetet orthodhokse dhe miq të ftuar. Një cast ajo ndërpritet. Presidenti sapo ka dhënë një lajm të shumëpritur nga të gjithë besimtarët orthodhoksë:

“Ju njoftoj se Manastiri i mirënjohur i Ardenicës do të jetë i Kishës Orthodhokse, të cilës i takon”. Dhe jo vetëm ai, do të vazhdonte Presidenti, por të gjitha pronat që i takojnë Kishës Orthodhokse, duke vënë në dukje se në ligjin që do të aprovojë së shpejti Parlamenti do të autorizohet Qeveria për t’u falur tokë Komuniteteve fetare.

Në fjalët e falenderimit, Kryepiskopi Anastas theksoi se: “Eshtë një lajm shumë i mirë dhe i rëndësishëm. Eshtë një investim që bëhet për të ardhmen e vendit”.

Në fund, Kryepiskopi Anastas i dhuroi Presidentit Berisha një ikonë të Zotit Iisu Krisht dhe një kopje të ribotimit të fundit të Ungjillit të përkthyer nga Kristoforidhi, bërë nga KOASH, duke falenderuar për vizitën e lajmet e mira dhe duke uruar që Krishtlindjet e ardhshme t’i festojmë në Manastirin e Ardenicës.

Korresp. i “Ngjalljes”