Berat, e diel, 26 nëntor: Liturgji në Kishën e rindërtuar të Shën Thomait, në lagjen Goriçe dhe hirotonisje në prift e dhiakonit, Petraq Simsia; pastaj bekimi i vendosjes së gurit të themelit për ndërtimin e Katedrales së Shën Dhimitrit. Ky ka qenë programi i vizitës së Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.
Ishte një pritje entuziaste, që nisi që me rreshtimin e 20 veturave tek Ura e Kuçit, 23 km në hyrje të qytetit. Pas mbërritjes së Kryepiskopit, rreth orës 9.00, makinat e besimtarëve orthodhoksë beratas do ta shoqëronin përgjatë gjithë itinerarit, deri në përvjelljen nga qyteti i shquar për ndjenjat e veta orthodhokse. Vizita e parë e Kryepiskopit ishte në Kishën e Shën Thomait. Disa metra para saj, një grup fëmijësh, të veshur me rrobën fetare, do të udhëhiqnin, kurse në hyrje të portës, një përfaqësi e rinisë orthodhokse beratase do t’i dhuronte Fortlumturisë së Tij Anastasit, buqeta me lule të freskëta.
Ardhja e Kryepiskopit solli në krah të Tij, përveç mijërave të besimtarëve orthodhoksë edhe Kryetarin e Bashkisë, Myftiun dhe Kreun e Bektashianëve beratas. “Erdha në pranverë për të vënë gurin e themelit të ringritjes dhe në këtë ditë të ftohtë dimri mund të qëndrojmë brenda e të falemi”, e nisi fjalën e Tij në kishën e Shën Thomait Kryepiskopi Anastas, që duke përmendur rënimin e 1608 objekteve të kultit orthodhoks nga regjimi komunist, tha se deri më sot janë ndërtuar nga themelet 40 kisha, janë restauruar 50 dhe po punohet në 65. Ende shumë manastire nuk janë kthyer dhe po të njëjtin fat ka edhe ai i Ardenicës. “Kërkuam truall për të ngritur shkollë, por nuk na dhanë ndaj u detyruam të marrim me qera një hotel në Durrës dhe me paratë e dhëna nga miqtë tanë nëpër botë ngritëm shkollën, që përgatit atë çka është më kryesore, kuadrin klerik, i tillë duhet për të edukuar me frymën e Zotit”. Kryepiskopi përmendi se në vitin 1991 qenë gjallë vetëm 15 priftërinj, pjesa më e madhe me moshë të thyer. Sot numërohen 64 klerikë të rinj, kurse hirotonisja e dhiakonit P. Simsia në prift e çon numrin e tyre në 65. Ata i kryejnë lutjet në gjuhën e bukur shqipe dhe pretendimet për falje në greqisht s’janë veçse akuza të pabaza.”, tha Fortlumturia e Tij, duke përmendur se Kisha Orthodhokse është më e lashta në Shqipëri dhe tiparet e saj janë: Dashuria, Liria dhe Martirizimi.
“Lavdi Zotit! Erdhi ora e Zotit! Zoti është me ne! Edhe ne me Zotin”! Këto janë pjesa hyrëse e ceremonisë, që do të vazhdonte me fjalën e Fortlumturisë së Tij dhe bekimin e themeleve mbi të cilat do të ngrihet katedralja e Shën Dhimitrit, e rënuar gjer në themel nga regjimi komunist. “Eshtë gëzim i madh që jemi mbledhur sot këtu për një ngjarje kaq të bekuar.” Kështu e nisi fjalën Kryepiskopi Anastas, që ndërtimin e çdo kishe apo të çdo vendi të shenjtë e quajti një vend të ri lutje, mirëkuptimi vëllazëror, qendër kulture, dashurie e përparimi. “Duke e parë nga ky këndvështrim, ngritja e katedrales përbën një gëzim për të gjithë komunitetin orthodhoks”, tha Ai.
Duke vlerësuar bashkëjetesën e komuniteteve fetare në Shqipëri, pasi tha se kjo duhet ruajtur me devotion dhe duhet të përbëjë një shembull për gjithë Ballkanin, Kryepiskopi Anastas vazhdoi: “Komunitetet fetare duhet të jenë ura lidhëse midis njerëzve dhe jo mure që t’i ndajnë”. Dhe më tej: “Në këtë unitet dhe dashuri midis të gjithë njerëzve roli i kishës është shumë i madh sepse brenda në kishë kultivohen ndërgjegje të lira, ndërgjegje të përgjegjshme, të cilat punojnë e do të punojnë për dashurinë dhe vëllazërimin”. Duke cilësuar vendosjen e gurit në themele si një “fillim shprese”, Fortlumturia e Tij Anastasi përfundoi: “Po bëjmë përpjekje për të rindërtuar kishat tona, por puna që na pret është kolosale dhe me hirin e Perëndisë, inisiativën e orthodhoksëve shqiptarë dhe mbështetjen e miqve nga e gjithë bota, do t’ia dalim mbanë. Por thelbësorja ngelet se si ne, brenda vetes sonë do të ndërtojmë kishën e Perëndisë. Apostulli i Shenjtë Pavli, në mënyrë të përsëritur thekson: Ne, njerëzit e gjallë, jemi kishat e gjalla të Perëndisë”. Sepse ekzistonin këto kisha të gjalla, megjithëse shkatërroi gurët e kishave, persekucioni nuk mundi të shkatërrojë kishat e fshehta brenda shpirtit të besimtarëve. “Me shumë kisha të gjalla të Perëndisë, me shumë njerëz që do të rrezatojnë besimin, dashurinë dhe shpresën e Perëndisë, është gjëja më e çmuar që mund t’i japim vendit tani që po përpiqemi për një udhë të re”, përfundoi fjalën e Tij Kryepiskopi Anastas, duke i uruar të pranishmëve “Bekimi i Perëndisë qoftë i begatë në familjet tuaja. Qoftë i begatë bekimi i Perëndisë në qytetin e bekuar të Beratit dhe në udhën e re në të cilën po ecën Shqipëria”.
Pas një shërbese të shkurtër, i gjithë trualli mbi të cilin do të ngrihet katedralja e Shën Dhimitrit u spërkat me Ujë të Bekuar. “Lavdi Zotit! Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall!” si edhe këndimi në kor i himneve të përëndishme, përbënë pjesën përmbyllëse të ceremonive të drejtuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, i cili u përcoll me ngrohtësinë dhe respektin e beratasve.
Xhovani Shyti