EmailFacebookKontakt

Patriku Diodor dekoroi Rabinin para atentatit

Duke marrë pjesë në përpjekjen panorthodhokse për paqe dhe komunikim midis popujve, me vendim të Patrikut, Fortlumturisë së tij Diodor, Patrikana e Jeruzalemit dekoroi për kontributin e tyre për paqen të paharruarin Jitxhak Rabin, Shimon Perezin, Jaser Arafatin, si edhe Mbretin Husein, të Jordanisë. Më 17 tetor, d.m.th. 18 ditë para atentatit që solli vdekjen e kryeministrit Izraelit, në ceremoninë e veçantë në Malin e Ullinjve ku ka selinë Patriku i Jeruzalemit, në prani të diplomatëve të gjithë shteteve të mëdha si edhe të përfaqësuesve të Kishave, Patriku u dorëzoi dekoratat Jitxhak Rabinit dhe Shimon Perezit. Ndërsa për dekorimin e Mbretit Husein Patriku Diodor shkoi personalisht në kryeqytetin jordanez, Amman. Gjatë ceremonisë Mbreti Husein veçoi rolin historik që luan për shekuj Orthodhoksia, veçanërisht në hapësirën e ndjeshme të Lindjes së Mesme. Ndërsa dorëzimi i dekoratës së Jaser Arafatit u shty për shkak të vrasjes së kryeministrit Izraelit dhe do të bëhet së shpejti.

Ana më e veçantë dhe ndoshta profetike e këtij dekorimi, ishin fjalët e Jitxhak Rabinit, i cili, midis të tjerash, theksoi nevojën e tolerancës së ndërsjelltë të feve, dënoi çdo formë fanatizmi dhe cilësoi paqen dhe bashkegzistencën e popujve të Jeruzalemit, si “burim frymëzimi”. Dhe më tej, Rabini nënvizoi se paqja është arritje që nuk mund të vijë pa u vënë në rrezik ata që do të guxojnë ta arrijnë. Në fund, i ishte drejtuar Patrikut Diodor me fjalët: “Këtë festim të veçantë e shoh si simbol në përpjekjet tona për paqen”.