Në mesditën e së dielës 19/11/1995, pas Liturgjisë Hyjnore, u mblodh në kishën e “Shën Prokopit”, këshilli i sapozgjedhur, i rinisë orthodhokse të Tiranës, për të caktuar funksionet e anëtarëve të tij.
Me qëllim që të forcohet lidhja dhe uniteti në bashkëpunimin midis tyre, takimin e parapriu një drekë e ngrohtë, në të cilën u diskutua për detyrat e ardhshme të këtij këshilli. Në fund të saj, u lexua një fragment nga Letra e parë drejtuar Korintasve (12:12-31). Ishte kuptimplotë mesazhi Hyjnor, që Ajo përcolli tek pjesëmarrësit. “Ju të gjithë së bashku jeni trupi i Mesisë; secili nga ju është një pjesë prej tij. Perëndia i ka caktuar çdonjërit detyrën e tij të veçantë.” (12:27-28). Pas diskutimit mbi mesazhin e Letrës së Apostullit, u zhvilluan zgjedhjet.
Në mbyllje të tyre u mbajt Mbrëmësorja, nga at Theologu, at Luka dhe dhiakoni Josif.