EmailFacebookKontakt

Kristologjia

Qendra e Krishtërimit është Vetë Zoti Iisu Krisht. Në fakt, Ai është epiqendra e gjithë historisë. Por bota lufton me identitetin e Tij. Kush është Ai? Eshtë Perëndi? Eshtë njeri? Të dyja bashkë? Shkrimet e Shenjta u përgjigjen qartë këtyre pyetjeve thelbësore.

Në Ungjillin e tij, Joani jep një shpjegim të veçantë dhe përfundimtar se kush është Krishti. “Që përpara herës ishte Fjala, edhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Fjala ishte Perëndi” (Joan 1:1). Joan Pagëzori, pararendësi i Krishtit, zbuloi Perëndinë Fjalë si “Dritë” (Joan 1: 6,7). “Edhe Fjala u bë mish, edhe ndenji ndër ne” (1:14). Po atëherë kush është Iisu Krishti?

1. Ai është Perëndi, sepse Ai ishte me Perëndinë që përpara gjithë shekujve. Eshtë e qartë se Ai që u lind Iisu i Nazaretit nuk i pati fillimet e Veta me lindjen e Tij tokësore. Përkundrazi, Ai është Biri i Përjetshëm i Perëndisë, pa fillim. Nuk ka pasur kohë kur të mos ketë egzistuar Biri i Perëndisë.

2. Ai është gjithashtu njeri, sepse Ai u “trupëzua” (u bë mish). Ai u bë njëri prej nesh, duke qenë si ne në të gjitha, por pa mëkat.

3. Ai vepron edhe si Perëndi edhe si njeri, duke bërë atë që i shkon për shtat çdo natyre në unitetin që rrjedh nga qenia e Tij një Person hyjnor. Natyra dhe aktiviteti hyjnor nuk ndryshohen kurrë në natyrë dhe aktivitet njerëzor. Janë të dyja në unitet pa konfuzion. Krishti “energjizon” natyrën njerëzore me energji hyjnore kështu që natyra njerëzore çlirohet nga mëkati dhe vdekja dhe sillet në bashkim me Perëndinë. Kështu pra, Ai “hyjnëzon” natyrën njerëzore.

Mrekullia e këtyre të vërtetave të pakrahasueshme njihet si njohuria për Krishtin ose ndryshe “Kristologjia”.

Për Kristologjinë janë hartuar shumë dokumente, por teksti përfundimtar është Besorja e Niqeas, rezultat i Sinodit të parë dhe të dytë Ekumenik në shekullin e katërt. Besorja e Kalcedonisë (e aprovuar nga Sinodi i katërt Ekumenik, v.451) mishëron të vërteta të tjera, që lidhen me Trupëzimin e Fjalës. Këto Besore vunë gardhet doktrinale, jashtë të cilave ne nuk jemi më në njohurinë tonë për Krishtin.

Apostulli i shenjtë Joan dëshmon për Krishtin: “Atë që ishte që në krye, Atë që kemi dëgjuar, Atë që kemi parë me sytë tanë, Atë që vumë re, edhe duart tona e preknë, për Fjalën e jetës; -Edhe jeta u shfaq, edhe e pamë edhe dëshmojmë, edhe u japim juve zë për jetën e përjetshme, që ishte tek Ai edhe u shfaq ndër ne;- Atë që kemi parë edhe kemi dëgjuar, për Atë u japim zë juve, që të keni edhe ju pjesë me ne; edhe pjesa jonë është me Atin edhe me Birin e Tij Iisu Krisht” (I Joan 1:1,3).

Ne gjithashtu dëshmojmë për Iisu Krishtin. Sepse qëkur Perëndia u bë njeri dhe ne bashkohemi me Të në pagëzim, përjetojmë Trupëzimin e Tij në jetën tonë. Mrekullia e Kristologjisë për ne është se ashtu si Biri i Perëndisë u bë njeri, ne nga ana jonë mund të bëhemi pjesëmarrës te Perëndia.

Marrë nga THE ORTHODOX STUDY BIBLE