EmailFacebookKontakt

Duke soditur Embëlsinë e trëndafiltë të Saj!

Sa herë, nën tinguj këmbanash; në shkëlqime Liturgjish Hyjnore; nën vështrimin e Tij pafundësisht Shndritës, kam dashur të rindiej Flladitjen e Embël, plot Jetë, të Kësaj Dite, në të Cilën, dheut iu dhurua Hyjnori! Sa herë….! Ndërsa tani, që Madhështia e Saj, vezullon përballë ngazëllimit tonë, ndiej Limfën Qiellore të rendë nëpër qelizat e vdekura të Krijesës e t’i stolisë me pranverë; ndiej regëtimën e vrullshme të zemrës tokësore, tek prek Foshnjën – Mrekulli dhe këndon: “Ejani, ta adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit, që na ka bërë!” (Psalm 95:6). Ejani, ta adhurojmë Dashurinë, që zbriti tek Grazhdi i vogël, në të cilin duhet të zhytesh, gjatë gjithë jetës si në një oqean për tu rikthyer fluturues i veshur me ngazëllim. Ta adhurojmë Dashurinë, Atë, që e deshi njerinë deri në Vetësakrifikim; Atë, që erdhi pranë nesh, se ne, u larguam; Atë, që në koritën e Vithleemit, ridha prej Mëshirës së Tij, Parajsën e humbur për Adamët; Atë, që dha Birin për bijtë! Ejani, të përkulemi para Foshnjës së Dritës! Të përkulemi; të prekim doçkëzat e Tij e të ndiejmë Krijimin; të vështrojmë sytë e kristaltë të Tij e të ndjekim agimet, perëndimet Jetëshkruese; të befasohemi prej buzëqeshjes së Tij e të pushtohemi prej Dashurisë! Ejani, të gjunjëzohemi para Përulësisë! Këndon hareshëm zemra njerëzore dhe e përfshijnë lotë rezëllues tek vallëzon ngazëllimplotë drejt Princit të Parajsës. Këndon edhe natyra në soditjen e saj, ngjitet drejt lartësisë duke mbartur gjithçka që njerëzit ndajnë me të; atë, që fluron prej Lindjes së Lindjeve, prej Festës së Qiejve e të Tokës dhe përçon gjithkund me këngën e saj, Përflakjen e Yllit të Agimit njerëzor.

Krishtlindja – Festa Hyjnore, që hapi dritaren e parë, nga e cila, njeriu pa Perëndinë. Krishtlindja – Melodia, që buzëqesh në të gjitha notat e që derdh mbi ne ëmbëlsinë e tingujve të Thesarit pa fund! Në gonxhen e Saj, shpirtrat tanë, duke ia zbuluar e duke ia ndier prarimin e brishtë dhe madhështor, mposhtin caqet hapësinorë dhe rendin si barinjtë e mirë për të takuar sa më parë Dritën; rendin si magët e Lindjes, nën ndriçimin e papërsëritshëm lëbyrës të Yllit, që valëzon ëmbëlsisht në kupolën qiellore, për t’i çuar Mbretit të Jetës, Dhuratat Mbretërore. Mrekullohen shpirtrat tanë, ashtu si ata, dhe galdojnë kaltërsisht pranë Virgjëreshës, Vajzëslule të Tërëshenjtë, rreth Diellit të Gjithësisë. Engjëjt zbresin si vargje të florinjtë dhe himnojnë e lavdërojnë Perëndinë: “Lavdi Perëndisë në më të Lartat, dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje!” Hapen portat e Kështjellës së Shpresës sonë e një Zë, Që rrjedh i Embël, i Kthjellët, Hyjnor, fton me Dashuri Atërore: “Ejani tek Unë!”

Ejani! Nuk ka më hije enigmatike, mjegull misterioze. Errësira u thërrmua, se “Drita shkëlqeu në të”. Ejani! Të kesh etje, është e dhimbshme, por të kesh etje për Perëndinë, është dërrmuese, ndaj, ejani! Ejani gjeni Prehjen, Paqen pranë Atij, nga i Cili buron Uji i Gjallë! Ejani, se prej nga erdhëm, po Atje duhet të shkojmë! Atje, ku verbueshëm ndriçon Froni i Perëndisë! Ejani! Ejani, fton Dita e Trupëzimit të Tij! Ejani, fton Jeta për Jetë! Ejani, fton Foshnja prej Grazhdit të Ngazëllimit!

Në blunë e natës, një Lule me kupëz të përkryer, pret nisjen drejt hapësirës. Ledhaton ajrin me bukurinë e Saj dhe ai menjëherë shndërrohet në kristal. E kështu duke vezulluar gjithçka edhe në ikje, Ajo, ngjitet e ngjitet e mrekullueshme, duke lënë në ajër fragmente lumturie. Mahniten ngazëllimet tona, tek vështrojnë në Të vetveten; mahniten sytë, tek ia vështrojnë Ngjyrat Hyjnore. Ndërsa Ajo fluturon dhe hedh mbi ne Buzëqeshjen, Flladitjen e Embël e plot Jetë…

Sa herë, që këmbanat do të tingëllojnë hareshëm, do të riplazmohet diadema vezulluese e Saj e do të fërgëllojë Krijimi në Rilindje! Sa herë, që këmbana do të tingëllojë hareshëm, do të rindiejmë…

Efrosina Noti