“Drita e Krishtit u ndrit të gjithëve.” Kështu thotë prifti gjatë Liturgjisë së Dhuratave të Parashenjtëruara. Sikurse shkruan Shën Joan Teologu në Ungjillin e tij, Krishti është “drita që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.” Kur Krishti, Biri i përjetshëm i Perëndisë, hyn në këtë botë dhe lind në Vithlehem nga Virgjëresha Mari, Ai vjen si drita në mes të errësirës. “Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e mposht dot atë.”
Errësira e kësaj bote apo e jetëve tona, errësira e mëkatit dhe e ndarjes nga Perëndia, s’është më e fortë se Drita Hyjnore, që është Zoti ynë Iisu Krisht. Ai vjen në këtë botë që të na çlirojë nga skllavëria e mëkatit dhe të na kthejë në atë shtëpi që ne kishim humbur, si fëmijë të dashur të Atit. “Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie;… ata nuk lindën prej gjakesh, as prej dashurimi mishi, as prej dashurimi burri, po prej Perëndie” (Joani 1:12-13).
Ç’i nxjerr në pah këto reflektime? Eshtë kjo: Shpeshherë, kur në mes të errësirës së kësaj bote, Perëndia më kujton dashurinë e tij dhe arsyen e të qenit i krishterë, unë gjej se drita që unë shikoj është drita e Krishtlindjeve. Drita e Krishtlindjeve është ajo “dritë gazmore” që ne këndojmë në himnin e lashtë të mbrëmësores. Ajo është një dritë në të cilën nuk ka vuajtje apo trishtim. Ajo na shfaq dashurinë e Atit të përjetshëm, mirësinë e tij, që kalon çdo kuptim, zbulimin e vetvetes në përulësi. “Sepse Perëndia kaq e deshi botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16). Kur e tërë bota shtrihej në errësirë dhe në hijen e vdekjes, atëherë, sikurse dhe profetët parashikuan, “kur erdhi të mbushurit e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Gal. 4:4-5). Ai është, siç e njeh dhe Simeoni i drejtë, “dritë për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit të [Perëndisë], Izraelit” (Lluk. 2:32), që do të thotë, Shpëtimtari që Perëndia përgatiti kohë më parë për ta dërguar para gjithë njerëzve (shikoni Lluk. 2:30-31). Dhe është domethënëse që, në fillimin e Ungjijve, ne lexojmë për të huajt që vijnë për ta adhuruar atë: Tre njerëzit e mençur apo Dijetarët nga Lindja nuk ishin judenj, por paganë, të cilët, prapëseprapë, kishin dëgjuar mbi profecinë e hershme, që një Yll do dalë nga Jakobi e do të drejtojë të tërë kombet (shikoni Numrat 24:17) e kështu ata shkuan të adhuronin atë, të udhëhequr, sikurse thonë dhe etërit, nga një dritë-tek Drita e vërtetë. Drita e Krishtlindjeve është vetë Krishti, i cili është drita e botës (Joani 8:12). “Unë jam drita e botës; ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, po do të ketë dritën e jetës” (Joani 12:46). Cila është errësira nga e cila Zoti Iisu Krisht na shpëton? Nuk është, në radhë të parë, thjesht, një errësirë e jashtme, një errësirë që mund të largohet nga një llampë e një sistem elektrik më i mirë, por një errësirë e brendshme, një errësirë brenda zemrës njerëzore. Kjo është arsyeja që Zoti flet, në predikimin e tij në mal, për atë dritë të trupit që është syri, domethënë, syri i zemrës (shikoni Matheu 6:22-23), ose përse ai u thotë farisejve të pastrojnë në radhë të parë kupën nga brenda (Matheu 23:26). Ai dëshiron që së pari të shikojmë nga brenda veten tonë, dhe të kuptojmë nevojën për të parë Perëndinë, para se ne të veprojmë si udhëheqës apo si mësues të të tjerëve.
Shumë prej nesh, na thotë Apostull Joani, thonë se kanë shoqëri me Perëndinë, por ende ecin në errësirë (shikoni 1 Joani 1:6). Sepse ndodh që shpallim se jemi të krishterë, por përbrenda dhe në të vërtetë ngelemi paganë dhe ateistë. Ne duhet të lutemi nxehtësisht për t’u çliruar nga verbëria shpirtërore, veçanërisht nga ajo lloj që manifeston vetveten në urrejtje me vëllain tonë (shikoni 1 Joani 2:9-11).
Kisha jonë na e jep këtë periudhë, para Krishtlindjeve, si një kohë parapërgatitjesh, një kohë për ta bërë të drejtë rrugën e Zotit, sikurse predikon dhe Shën Joan Pararendësi (Mark 1:3); ne do të përgatisim më mirë zemrat tona për ardhjen e Krishtit nëse shfaqim mëshirë e dashuri ndaj atyre që janë rreth nesh, veçanërisht ndaj atyre që ndodhen në nevojë, sikurse dhe Perëndia ka shfaqur mëshirën e Tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e Tij dhe duke falur mëkatet tona të panumërta. Mbi të gjitha, duhet të mbajmë mend këtë: Krishtlindje nënkupton-Perëndia u trupëzua. “Fjala u bë mish, edhe ndënji ndër ne (edhe pamë lavdinë e tij, lavdi posi të vetëmlinduri prej Atit,) plot me hir e me të vërtetë” (Joani 1:14). Çfarëdo që jemi, çfarëdo që ne kemi bërë ose dështuar në jetët tona, është dëshira e Perëndisë për të na shpëtuar dhe ne jemi të shpëtuar vetëm nëpërmjet trupëzimit të Birit të Perëndisë. Çdokush, i cili vjen tek ju e predikon një doktrinë tjetër, mos e dëgjoni (shikoni Joani 4:1-3; 2 Joani 7). Trupëzimi është baza e besimit tonë dhe guri i themelit të shpëtimit tonë. Krishti është Emanueli, “Perëndia me ne” (Isaija 7:14; Mateu 1:23); ai mori në vetvete tërë natyrën dhe kushtet tona, nga lindja në vdekje, me qëllim që të shkatërrojë, në vetvete, fuqinë e mëkatit dhe vdekjen, që na mbante rob. Lavdia e Zotit shndrrit përpara me fuqinë e tij të veçantë, bukurinë e rrezatimin në ditën e shenjtë të Krishtlindjeve; Perëndia na dhuroftë të gjithëve të përshëndesim këtë ditë me zemër të pastër, që të mund të mbajmë dritën e Tij hyjnore dhe të jetojmë.
Dr. Peter Gilbert
Pedagog në Shkollën Teologjike-Hieratike të Durrësit