Nga At Luka Veronis
Në këtë kohë të vitit ne orthodhoksët kujtojmë të kremten e madhe të Krishtlindjes, lindjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht. I themi njëri-tjetrit: “Krishti lindi! – Lavdërojeni Atë”! Sa ditë e mrekullueshme kur mendon për ardhjen e Vetë Perëndisë në tokë. Shën Joan Theologu u përpoq të përshkruajë këtë mister në Ungjillin e tij: “Edhe fjala u bë mish edhe ndenji ndër ne, edhe pamë lavdinë e Atij, lavdi posi të Vetëmlinduri prej Atit plot me hir e me të vërtetë” (Joani 1:14).
Shën Grigor Theologu e përshkroi ardhjen e Krishtit duke thënë “Krishti lindet, lavdërojeni. Krishti prej qiellit përpara dilini. Krishti mbi dhe lartësohuni. Këndojini Zotit tërë dheu. Le të ngazëllohen qiejt dhe le të gëzohet dheu. Errësira ka shkuar dhe tani është bërë dritë. Dhe njerëzit që rrinin në errësirë le të shohin dritën e madhe të diturisë së plotë. Ai që është pa trup u trupëzua. Biri i Perëndisë bëhet biri i njeriut. Iisu Krishti – i njëjtë dje, edhe sot, edhe përjetë!” Ardhja e Krishtit ishte mbërritja e shumëpritur e Mesias, i caktuari, Shpëtimtari i botës. Gjithë Dhiata e Vjetër tregonte këtë ditë. Gjithë profetët, burrat e gratë e drejtë dhe të moçëm prisnin këtë çast në histori. Profeti i drejtë dhe i moçëm Simeon, kur pa foshnjën Iisu, menjëherë pas Lindjes së Tij, tha: “Tani o Zot lëshoje shërbëtorin tënd sipas fjalës sate me pajtim, sepse sytë e mi panë Shpëtimin Tënd që bëre gati përpara syve të gjithë popujve, dritë për të ndriturit e kombeve dhe lavdi për popullin tënd Izrael”. (Lluk. 2:29-32).
Perëndia ka ardhur te ne! Megjithëse njerëzimi kaq shpesh e mohoi Perëndinë dhe doli nga rruga e Tij, Ai pati mëshirë dhe përdëllim për ne. Përderisa nuk mund të shkonim tek Ai për arsye se mëkati dhe vdekja kishin mbyllur rrugën, Ai vendosi të vijë tek ne! Po, Iisu Krishti lindi në një shpellë të vogël në Vithleem dhe ndryshoi udhën e botës. Sidoqoftë, ne besimtarët duhet të kujtojmë se Krishti NUK erdhi në tokë vetëm 2000 vjet më parë. Ai vjen ende sot. Ai ende kërkon të lindë në zemrat e çdo njeriu mbi dhe Ai është ende rreth nesh, si në mënyrë mistike ashtu edhe konkrete fizike. Le të mendojmë për këtë mrekulli, ardhjen e Krishtit, dhe të meditojmë mbi kuptimin e saj sot!
Së pari, Krishti vjen përsëri në një mënyrë mistike. Menjëherë para se të ngjitej në qiejt ai u premtoi nxënësve të tij “Edhe ja Unë tek jam bashkë me ju gjithë ditët gjer në të mbaruarit e jetës” (Matth. 28:20). Ai tha gjithashtu “sepse ku të jenë dy a tre vetë të mbledhur në emrin tim, atje jam edhe unë, në mes tyre” (Matth. 18:20). Perëndia është aty, plot durim duke na pritur, edhe pse ne mund ta injorojmë atë. Megjithatë, Ai nuk do të hyjë në zemrat tona i paftuar. “Ja tek rri në derë dhe trokas; në dëgjoftë ndonjë zërin tim edhe të hap derën do të hyjë tek ai edhe do të ha darkë bashkë me të, edhe Ai bashkë me mua” (Apok. 3:20). Lindja e Krishtit ishte vetëm një fillim. Ai dëshiron tani të lindë te çdonjëri prej nesh, përsëri dhe përsëri. Përditë dëshiron që ne ta mirëpresim, ta ftojmë dhe zemrat tona t’i bëjmë shtëpi të Tij.
Në një mënyrë tjetër mistike Krishti vjen tek ne sa herë që ne kryejmë Liturgjinë Hyjnore, në kohën që prifti mban trupin e shenjtë dhe gjakun e çmuar të Zotit tonë, duke ia afruar ato besimtarëve thotë: “Me frikë Perëndie, besim e dashuri, afrohuni”. Krishti është aty te Buka dhe Vera, i gatshëm që të mbushë shpirtrat tona me praninë e Tij të Gjithëpushtetshme. Po ne a e mirëpresim? A vijmë në Kishë të përgatitur që në çdo Liturgji Hyjnore të pranojmë Atë, ashtu si Virgjëresha Mari dhe Josifi i Shenjtë e pritën në Vithleem? A do ta presim Atë me gëzim siç e pritën barinjtë kur dëgjuan engjëjt t’u shpallin lindjen e Shpëtimtarit të ri? “Me frikë Perëndie, besim dhe dashuri AFROHUNI”. Le të kujtojmë se çdo Liturgji Hyjnore është kremtim i Krishtlindjes i ardhjes së Krishtit. Çdo herë Ai lind përsëri në jetën tonë.
Megjithatë, Krishti nuk është midis nesh vetëm në mënyrë mistike, të padukshme. Ai është këtu dhe në një mënyrë shumë konkrete, fizike. Mjafton të hapim sytë dhe të shohim. Iisui të tha apostujve të Tij: “Unë jam i urituri që lyp bukë, a do të më jepni? Unë jam i vetmuari që nuk më flet kush, a do të harxhoni pak kohë me mua? Unë jam i huaji që jetoj jashtë derës, do të më vini re? Jam lypsari në rrugë, a do të ndaloni të më flisni? Unë njeriu që është duke vdekur në spital a do të më vizitoni? Unë jam i burgosuri i harruar nga shoqëria a do të më ndihmoni?” (Perifrazim nga Matth. 25:31-46).
A dimë ne se njerëzit në nevojë dhe rreth e rrotull nesh janë vetë Iisu Krishti? Krishti vjen tek ne me pamjen e trishtuese të të varfërit, por ne a e njohim? Iisu tha se në Ditën e Gjykimit do të na thotë secilit prej nesh, “Sado që i bëtë njërit nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Gjatë Krishtlindjes nuk mund të nderojmë dhe të madhërojmë Krishtin në kishat tona siç i ka hije nëse ne e injorojmë Atë në për rrugë. Ne nuk mund të mirëpresim Krishtin në zemrat tona, me anë të lutjeve tona, nëse nuk e mirëpresim në shtëpitë tona si një prej këtyre njerëzve në nevojë. Le të hedhim vështrimin edhe jashtë kishës sonë, dhe të dallojmë Krishtin kudo përreth nesh!
“Krishti lindi! Lavdërojeni!” Po, që sot, le të lavdërojmë Krishtin e porsalindur, duke e pranuar Atë në mënyrë mistike në zemrat e jetën tonë, si edhe ta lavdërojmë Krishtin në një mënyrë shumë konkrete, përmes njerëzve kudo përreth nesh!