26 tetor. Delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, u prit në aeroportin e Bukureshtit nga mitropoliti Jerasim i cili i uroi mirëseardhjen. Kryepiskopi Anastas falenderoi për mikëpritjen, si dhe uroi për festën e 110-vjetorit të Kishës Orthodhokse Rumune, si dhe për 70-vjetorin e Patrikanës Rumune.
27 tetor. Në mëngjes të gjithë përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse bashkëmeshuan në sheshin pranë Patrikanës Rumune, i cili ishte mbushur nga mijëra e mijëra besimtarë. Para fillimit të meshës të gjithë bënë metani para lipsanit të Shën Dhimitrit të Ri. Në Liturgjinë Hyjnore, që u drejtua nga Patriku Ekumenik i Kostandinopojës Vartolomeu, mori pjesë edhe Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi. Gjatë meshës dëgjohet nga besimtarët rumunë lutja në shqip nga Imzot Anastasi “Të Tërëshënjtën, të Pacënuarën, të Përmbibekuarën…”
Në fund, besimtarët e shumtë i përshëndeti Kryepiskopi Anastas. Pas drekës të gjithë të ftuarit ishin përsëri së bashku në një nga sallat e Patrikanes, ku u njohën nga afër me historinë e Kishës Rumune.
Në fund të takimit, u nënshkrua një mesazh paqeje, i cili u firmos edhe nga Kryepiskopi Anastas.
Në mbrëmje Kryepikopi Anastas pati një takim të përzemërt me Patrikun e Rumanisë Teoktist, ku i shprehu urimet e përzemërta për festën e Kishës motër të Rumanisë.
28 tetor. Të gjithë të ftuarit u pritën në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Rumun, ku u mbajtën disa ligjërata, si dhe përshëndetjet nga Patriku Ekumenik Vartholomeu I, nga Pavli i Beogradit, Maksimi i Sofies etj. Me rastin e festës u shtrua një drekë nga Presidenti i Rumanisë, z. Ilion Iliesku.
Më pas në udhëtim drejt Rimini-Velçe, të ftuar nga Mitropoliti Jerasim. Në Mitropolinë e këtij qyteti, si dhe në kishën e Shën Nikollës kishin dalë për të pritur Kryepiskopin Anastas gjithë personeli kleriko-laik, nxënësit e shkollës teologjike si dhe besimtarët e këtij qyteti. Kryepiskopi Anastas falenderoi për mikëpritjen dhe i njohu të pranishmit me gjendjen aktuale të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe me perspektivën e saj.
29 tetor. Në kishën e “Shën Nikollës” u celebrua një Liturgji Hyjnore, e drejtuar nga Kryepiskopi Anastas, në të cilën merrnin pjesë Mitropoliti Jerasim, si dhe Mitropolitët Prokopi i Kavallës, Ignati i Artës dhe Jakovi i Agrolidës. Besimtarët dëgjuan në shqip të gjitha lutjet nga Kryepiskopi Anastas. Vizitat e kësaj dite do të pasohen me vizitën në manastirin Hurezi, manastir murgeshash, në të cilin ndodhej kisha “Shën Kostandini dhe Elena”, e ndërtuar në shekullin XVI.
Kryepiskopi Anastas u prit me ritmin e gëzuar të këmbanave dhe me himnin “për shumë vjet”, të psalur në rumanisht prej motrave të manastirit. Kishin dalë gjithashtu, edhe përfaqësues të pushtetit lokal. Kisha “Shën Kostandini dhe Elena” ishte në rikonstruksion me fondet e shtetit. Dhe teksa shihnim që shteti rumun ndihmonte që të ruheshin kishat dhe manastiret, mendonim se tek ne edhe ato manastire që kemi, nuk na janë kthyer akoma, por përdoren si “klube nate”. Më pas delegacioni vizitoi manastirin e Dintr-Un Lemn.
30 tetor. Udhëtojmë drejt dhioqezës së Kalinikut, të ftuar nga dhespot Irineu. Për të pritur Kryepiskopin Anastas kishin dalë në manastirin e Kurtea de Arges gjithë personeli kleriko-laik, si dhe nxënësit e shkollës së mesme teologjike dhe të muzikës bizantine. Edhe këtu Kryepiskopi Anastas u prit me madhështi dhe pati një bisedë të përzemërt me dhespot Irineun.
Në aeroport delegacioni ynë u përcoll nga Mitropoliti Jerasim, mitropoliti i Kalinikut Ignati, etj.
At Jovan Koroveshi