Nga 27-28 tetor Kisha Orthodhokse e Rumanisë kremtoi 110 vjetorin e shpalljes së saj Autoqefale, si dhe 70 vjetorin e ngritjes në Patrikanë.
Në Liturgjinë Hyjnore festive, që u krye në Bukuresht, në sheshin prapa Katedrales dhe Parlamentit, bashkëmeshuan kryetarët e Kishave Orthodhokse Autoqefale ose Autonome, Patriku Ekumenik Varthollomeu I, Patrikët: Partheni i Aleksandrisë, Pavli i Sërbisë, Teoktisti i Rumanisë, Maksimi i Bullgarisë; Kryepiskopët: Krisostomi i Qipros, Anastasi i Shqipërisë, Dhorotheu i Çekisë, Joani i Finlandës; përfaqësues të Patrikëve: Ignatit të Antiokisë, Diodorit të Jerusalemit, Ilia të Gjeorgjisë, të Kryepiskopit të Greqisë, Serafimit dhe të Mitropolitit te Polonisë, Vasilit.
Ishte e para herë që një delegacion zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mori pjesë në një aktivitet festiv të Kishës motër të Rumanisë.
Gjatë përshëndetjes së tij të shkurtër para Hierarkisë së Patrikanës së Rumanisë dhe mijëra besimtarëve, që për katër orë rresht luteshin pa lëvizur në shi dhe ndiqnin Liturgjinë Hyjnore, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, tha:
“Fortlumturia Juaj, Hirësi, vëllezër dhe motra të dashur, Duke qenë, me hirin e Perëndisë Triadike, pjesë të ‘një kishe, të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike’, gëzimet tuaja i ndjejmë si gëzime tona, dhimbjet tuaja, si dhimbje tona, sukseset tuaja, si suksese tona, aspiratat tuaja si aspirata tona.
Në emër të të gjithë klerit dhe besimtarëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila vuajti vdekjen gjatë persekutimit më të egër në histori dhe u risoll në jetë nga Zoti i Ngjallur, ne përgëzojmë Fortlumturinë Tuaj, Mitropolitët, Episkopët dhe gjithë klerikët dhe laikët e Kishës së dashur Orthodhokse të Rumanisë, për të dy përvjetorët të cilët po festoni sot, për dëshminë e shkëlqyer të Kishës së Rumanisë gjatë këtyre viteve në popullin e saj dhe në gjithë Orthodhoksinë.
Duke ju shprehur falenderimet tona të ngrohta për ftesën tuaj në këto veprimtari festive, ne ju urojmë nga thellësia dhe lutemi që Kisha e dashur Orthodhokse e Rumanisë të vazhdojë praninë e saj dinamike në kujdesin pastoral, mendimin teologjik, përvojën monastike dhe martirinë ierapostolike, në gjithë botën moderne, e cila ka etje për një dëshmi të mirëfilltë për Perëndinë e gjallë të dashurisë.
‘Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë, fytyrën e Tij ndriçoftë mbi ne’, duke na ndihmuar të realizojmë jetën tonë shpirtërore dhe detyrën tonë brenda kuadrit global më të gjerë, siç e përcakton Psalmi, menjëherë pas vargut që përmendëm: ‘Që rruga e Perëndisë të njihet mbi dhe’, dhe shpëtimi i Tij mbi gjithë njerëzit. ‘Të lavdërofshin popujt, o Perëndi, të gjithë kombet ty të lavdërofshin!’
Gjithashtu, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, mbajti fjalime në Katedralen e Rimnikulit gjatë Mbremësores të së shtunës 28 tetor dhe gjatë Liturgjisë Hyjnore të së dielës 29 tetor, në dy manastire të vjetra të rajonit të Rimnikulit, si dhe para studentëve të Seminarit teologjik në Katedralen e Argesit.
Ai, gjithashtu, dha intervista për kanalin Televiziv kombëtar dhe për Radion Rumune.