EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi Anastas në Hoçisht

Shumë besimtarë ishin mblodhur më 7 tetor në kishën e Shën Kollit, Hoçisht për të pritur Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas. Ishte ky një çast i dëshiruar dhe i kërkuar prej shumë kohësh dhe që tani u plotësohej nga Perëndia. Prania e madhe e besimtarëve, ndonëse pa ndonjë lajmërim të veçantë natyrisht që çoi në kryerjen e një shërbese të shkurtër të drejtuar nga Fortlumturia e Tij Anastas, për t’i drejtuar lutje së bashku Perëndisë. Kori i fëmijëve i drejtuar nga mësuesi i tyre i verbër Vaska u dha atyre çasteve një bukuri të veçantë.

Ndërsa nga jashtë Kisha e Shën Kollit ruan madhështinë dhe bukurinë e saj të pa brenda është një dëshmi e gjallë e “shartimit komunist”. Eshtë prekës për çdo njeri kur shikon në hieroren të shndërruar në skenë teatri. Sidoqoftë, është besimi dhe prania e besimtarëve të Hoçishtit që edhe këtij interiori të përçudnuar i jep formën e shtëpisë së Zotit. Kryepiskopi Anastas pa nga afër ndërhyrjet që i janë bërë strukturës së Kishës dhe diskutoi me besimtarët mundësinë e rikthimit të saj në hijeshinë hyjnore. Pas kësaj Kryepiskopi Anastas, besimtarë të shumtë të rritur dhe fëmijë shkuan në kishën mrekullibërëse të Anargjendëve të Shenjtë “Kozma dhe Damian” (Satrivaç), Kishë e njohur në të gjithë vendin për shërimin që Zoti dhe Shpëtimtari ynë Iisu Krisht u fal të sëmurëve nëpërmjet Anargjendëve të Shenjtë. Kryepiskopi zhvilloi këtu një bisedë me At Pandin dhe këshillin Kishtar të Hoçishtit për t’u ndarë më pas duke lavdëruar Perëndinë për çastet e gëzimit të paharrueshëm.