EmailFacebookKontakt

“Për adhurimin e Perëndisë dhe dashurinë e njerëzve”

“Çdo kishe e re që ndërtohet për adhurimin e Perëndisë dhe për dashurinë e njerëzve, – theksoi Kryepiskopi Anastas duke vënë gurin e themelit të kishës “Metamorfoza e Shenjtë e Krishtit” në Korçë, – është një dhuratë e madhe për gjithë njerëzimin”.

Shërbesa e themelimit të kishës së re u bë të dielën, 8 tetor, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve korçarë dhe të autoriteteve lokale. Morën pjesë gjithashtu miq të ftuar nga vende të tjera, ministrja rumune për çështjet e diasporës dhe ambasadori rumun në vendin tonë.

Duke falenderuar donatorët që do të ndihmojnë për ndërtimin e kishës së re që do t’i shërbejë komunitetit arumun të Korçës, Kryepiskopi Anastas e cilësoi ndërtimin e çdo kishe të re “gëzim dhe bekim të ri”. Duke folur për përpjekjen kolosale që po bëhet për ndërtimin e kishave në të gjithë vendin, Kryepiskopi Anastas theksoi në veçanti domosdoshmërinë e përpjekjes individuale që duhet të bëjë çdo besimtar për ndërtimin e Kishës së Krishtit brenda vetes së tij. Transformimi i shoqërisë drejt një shoqërie drejtësie, vëllazërie dhe dashurie “ka nevojë për hirin dhe fuqinë e Perëndisë” theksoi Kryepiskopi. Gjatë regjimit të kaluar ateist u shkatërruan rreth 1608 kisha dhe manastire orthodhokse.

Përpara shërbesës së themelimit të kishës së re, Kryepiskopi Anastas kreu Liturgjinë Hyjnore në pjesën e poshtme të Katedrales në ndërtim “Ngjallja e Krishtit”. Në Liturgjinë Hyjnore Fortlumturia e Tij Anastas u foli mijëra besimtarëve të pranishëm për Kuvendin e Patrikëve dhe Kryepiskopëve Orthodhoksë të mbajtur në Patmos në kuadrin e festimeve të përvjetorit të 1900-të të shkrimit të Apokalipsit. Më pas u lexuan edhe fragmente nga mesazhi i Patrikëve dhe Kryepiskopëve Orthodhoksë drejtuar besimtarëve orthodhoksë dhe gjithë botës.

Korresp. i “Ngjalljes”