EmailFacebookKontakt

Ikona “Portaitisa” rivendoset në sheshin e Moskës

Mbasditen e 25 tetorit, mijëra besimtarë orthodhoksë moskovitë kishin dalë në aeroportin e qytetin ku pritën ikonën “Portaitisa” të Tërëshenjtës Mari e sjellë në Moskë nga Mali i Shenjtë me avion të posaçëm.

Ikona u soll nga Igumeni i Manastirit Iviron në Mal të Shenjtë dhe në aeroportin e Moskës u prit nga Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë Aleksej II. Sjellja në Moskë e ikonës “Portaitisa” është e një rëndësie historike për Rusinë.

Në vitin 1618, Patriku i atëhershëm i Rusisë, Fortlumturia e Tij Nifon dhe Cari Aleksandër Mihailloviç, i kërkuan Manastirit Iviron një kopje të ikonës mrekullibërëse “Portaitisa” të Tërëshenjtës Mari dhe e vunë atë mbi portën e sheshit qendror të Moskës. Si mirënjohje për dhuratën e çmuar, Manastirit Iviron të Malit të Shenjtë iu dhurua Manastiri Shën Nikolla afër qendrës së Moskës.

Ikona e Tërëshenjtës Mari qëndroi në portën e sheshit të Moskës deri në vitin 1936 kur u zhduk pa gjurmë nga rregjimi stalinist, ndërkohë që Manastiri Shën Nikolla u shtetëzua.

Tani, pas 377 vjetësh nga vendosja për herë të parë të kopjes së ikonës mrekullibërëse mbi portën e sheshit qendror të Moskës, Patriku i Rusisë i kërkoi Manastirit të Malit të Shenjtë një tjetër kopje dhuratë të së njëjtës ikonë, për ta rivendosur sërish mbi portën, që po ndërtohet përsëri në sheshin e Moskës duke u rikthyer njëkohësisht edhe dhuratën e vjetër, manastirin e Shën Nikollës.

Me mbërritjen në Moskë të ikonës, besimtarët e panumërt me ikonën në krye u drejtuan për në kishë ku qëndruan në lutje agripnie gjatë gjithë natës në drejtimin e Patrikut Aleksej.

Në foto: Ikona e shenjtë mrekullibërëse “Portaitisa”, e cila ndodhet në manastirin Iviron të Malit të Shenjtë, një nga ikonat më të dashura për gjithë botën orthodhokse.