Përfaqësues të Këshillit Botëror të Kishave (KBK) dhe të disa agjencive ekumenike zhvillimi, u mblodhën nga 12-16 tetor në Tiranë, në Tryezën e Dytë të Rrumbullakët për Shqipërinë, të ftuar nga DIACONIA AGAPES – shërbimi i kujdesit social dhe zhvillimit i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Objektivi kryesor i kësaj Tryeze të Rrumbullakët ishte të tregojë, të shpjegojë dhe të shtrijë projektet e shumta kombëtare të zhvillimit që zbatohen aktualisht nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Me mbështetjen e Këshillit Botëror të Kishave dhe të partnerëve të tjerë ekumenikë, projektet DIACONIA AGAPES përfshijnë sot: përkujdesjet ditore të fëmijëve në Durrës, Korçë dhe Tiranë; program pilot për zhvillim bujqësor, me skemën e kreditit xhirues në zonën malore të Shpatit në Elbasan dhe në fshatra malore të rrethit të Korçës; klinikën “Shën Lluka” në Tiranë; një program shëndetësor dhe zhvillimi për gratë në zona rurale; disa ujësjellës fshatrash; mbështetje për një jetimore; një qendër rinore orthodhokse në Tiranë; programe të ndryshme rinore; ndërtimin e një kishe parafabrikate; program të mësimit të gjuhës angleze në Tiranë; ndihmë shkollore në zonën e Zavalinës, si dhe ndërtimin e funksionimin e Seminarit në Shën Vlash, afër Durrësit.
Sponsorët ekumenikë të këtyre programeve janë Dan Church Aid nga Danimarka, Kisha Presbyteriane e SHBA (PCUSA), HEKS nga Zvicra, FCEI, Diakonisches Werk e Berlinit, ICCO e Hollandës, Christian Aid e Anglisë, EKD e Shtutgardit dhe Europe Desk.
Shërbimi DIACONIA AGAPES i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u krijua në fillim të vitit 1992, nën drejtimin e Perëndifrymëzuar të Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas. Duke qenë shprehës i dashurisë sakrifikuese të Perëndisë për gjithë njerëzit pavarësisht nga përkatësia fetare, DIACONIA AGAPES punon së bashku me njerëzit, veçanërisht të varfërit dhe të margjinalizuarit në vendin tonë, për të kultivuar shpresën, besimin, inisiativën dhe për t’u dhënë zgjidhje nevojave të tyre imediate.
Korresp. i “Ngjalljes”