EmailFacebookKontakt

Psalmi XVIII

Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa e qiellit shpall veprën e duarve të tij.

Dita ditës tjetër i shpreh fjalën dhe nata natës i shpall dijen.

Nuk janë ligjërata as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet.

Zëri i tyre doli anembanë tokës, dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës.

Në diell vuri tendën e vet, dhe ai si dhëndër del nga dhoma martesore; ngazëllohet si një kreshnik kur në rrugën e tij vrapon.

Dalja e tij është nga njëri skaj në tjetrin skaj të qiellit dhe prapë përfundon në skaj të qiellit, dhe asgjë nuk i fshihet dot nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i panjollë, shpirtrat përtërin; dëshmia e Zotit është e vërtetë, të ditur i bën të miturit.

Porositë e Zotit janë të drejta, zemrën e gëzojnë; porosia e Zotit është e ndritshme, sytë i ndriçon.

Frika e Zotit është e pastër, në jetë të jetëve mbetet; gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta.

Më të dëshirueshme se ari dhe se guri i çmueshëm janë, dhe më të ëmbla se mjalti dhe se hojet.

Sepse edhe shërbëtori yt do t’i ruajë ato, shpërblim të madh do të ketë po t’i ruajë.

Kush i njeh fajet?

Pastromë nga mëkatet e mia të fshehta, dhe ruaje shërbëtorin tënd nga ato të të tjerëve.

Po të mos më sundojnë mua, atëherë faqebardhë do të jem dhe do të pastrohem nga mëkati i madh.

U pëlqefshin nga ti fjalët e gojës sime dhe mendimi i zemrës sime përpara teje gjithnjë, o Zot, ndihmësi im dhe shpëtimtari im.