Shkrimi i Shenjtë është një libër i madh dhe i çmuar, sepse ka fjalën e përjetshme dhe të pagabueshme të Perëndisë.
Etërit e Shenjtë nxorën nga Shkrimi i Shenjtë dogmat dhe lavdërimet e Atit tonë të Tërëmirë Qiellor në përmbledhje të shkurtëra.
Shën Joan Gojarti, duke dashur që në Liturgjinë e tij Hyjnore të përmbledhë përmbajtjen e Shkrimeve të Shenjta në shumë pak fjalë, merr fjalët e Ungjillit: “Sepse Perëndia kaq shumë e deshi botën, sa dha Birin e Tij të Vetëmlindurin, që të mos humbasë asnjë që do t’I besojë Atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Joan. 3, 15).
Këto fjalë janë përmbledhja e Ungjillit dhe na thonë:
Perëndia At na do kaq shumë, saqë për hirin tonë dha në vdekje birin e Tij të Vetëmlindurin, i Cili u bë njeri për ne me vullnetin e Tij.
Biri i Perëndisë Iisu Krishti u flijua në Kryq për ne; që të na fitojë; të mos na lerë të humbasim; për të na dhënë mundësinë të fitojmë jetën e përjetshme.
Kusht për të fituar jetën e përjetshme, është të besojmë se Krishti është Biri i Perëndisë dhe se u kryqëzua për ne.
Kush ka këtë besim do të shpëtojë.
Kush do të therrasë emrin e Iisu Krishtit duke besuar se është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari ynë, do të shpëtojë.
Gjaku i Iisu Krishtit u derdh mbi Kryq për të larë shpirtrat tanë nga mëkati.
Gjaku i Iisu Krishtit na pastron ne nga çdo mëkat (I Joan. 1, 7).
Mos harro vëlla. Mëkati është ndyrësi. Ndyrësi e shpirtit. Ndyrësi që nuk lahet me pak sapun. Klimi i Aleksandrisë thotë:
Sikur edhe me të gjitha ujërat e botës të lahesh, ndotja e mëkatit nuk del.
Sikur edhe me të gjitha aromat e botës të lyhesh, shpirtit tënd nuk do t’i iki era e keqe.
Sapuni i vetëm që lan mëkatin është GJAKU I KRISHTIT.