Gra orthodhokse elbasanase!
Ne gratë orthodhokse të Durrësit, Ju urojmë shëndet dhe lumturi për të mirën tuaj dhe për të mirën e Kishës sonë Orthodhokse.
Motra tona më Krisht, me hidhërim mësuam për ngjarjen e papëlqyer të 8 tetorit në Kishën tuaj. Jemi indinjuar thellë nga këto ndërhyrje banditeske që i bëhen Kishës sonë. Dy laikë, që thyen me forcë rregullat kanonike, nuk mund të prishin imazhin e Kishës sonë të Shenjtë Orthodhokse, që po forcohet gjithmonë e më shumë në rrugën e ndritur të saj, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas.
Motra më Krishtin, dhimbja jonë tejkalon çdo dhimbje trupore, e njëjtë me atë të Përmbishenjtës Mari, kur pa Iisunë e ëmbël të mbërthyer në Kryq. Ndajju therresim të ngreni zërin tuaj të fuqishëm e të përballoni me forcë çdo ndërhyrje të tillë. Ata që krijuan këtë zhurmë frymëzohen nga njerëz që janë bijtë e satanait, prandaj do të thyen përpara bashkimit tonë rreth Kryepiskopit legjitim.
Pra, le të lutemi pa pushim për udhëmbarësinë e Kishës sonë të ndritur. Nga ana tjetër, mbani fort Kishën e mos lejoni që këta sharlatanë ta ndyjnë Atë me prezencën e tyre. Ne jemi me ju dhe pranë jush kurdoherë: Kini kurajo për të përballuar të tilla situata të vështira. Kisha jonë nuk humbi në tërë atë periudhë të gjatë komuniste e ca më tepër s’ka për të humbur tani në periudhën e të demokracisë. Qëndrime të tilla ndaj Kishës, përveç të tjerave, dëmtojnë imazhin e bukur të demokracisë tek ne. Prandaj, duke e mbrojtur Kishën tonë ne kemi mbrojtur jetën tonë, lirinë tonë fetare, të fituar me shumë mund dhe sakrifica.
Me dashuri, motrat tuaja më Krishtin nga Durrësi
Durrës, 18.10.1995