EmailFacebookKontakt

Thikë pas shpine orthodhoksisë shqiptare

Kisha e Shën Marisë në Elbasan, më 8 tetor 1995, përjetoi në formën e saj më groteske shfaqjen e “Don Kishotit” të Servantesit, po këtë herë me dy protagonistë që pretendojnë se i përkasin botës fetare, Arjan Koja e Nikolla Marku. Ata u shfaqën një mëngjes me diell para besimtarëve orthodhoksë elbasanas me kryq në dorë e veshje si kleriku, duke uzurpuar faltoren e Zotit. Megjithë habinë e besimtarëve ata pas meshës mbajtën edhe një fjalim “prekës” që “drodhi zemrat” e atyre që për gati 5 vjet duan ta shkatërojnë Kishën tonë Orthodhokse.

Këtij veprimi të shëmtuar nuk vonuan t’i mbajnë ison gazetat tashmë të njohura për frymën e tyre antiorthodhokse, si “Republika”, “E djathta” etj., nën firmat bajate dhe shterpe të Bidoshit, Kirkës e ndonjë tjetri.

Për të mos u mjaftuar me kaq, këtë farsë të ndyrë e transmetoi me bujë edhe RTSH-ja në emisionin për aktivitet fetare të javës, të dielën më 15 tetor 1995. Nuk na habisin aspak veprime të tilla të shëmtuara… Por e ndjejmë për detyrë të sensibilizojmë opinionin mbarëshqiptar dhe besimtarët orthodhoksë.

Arjan Koja dhe Nikollë Marku, që u paraqitën përpara besimtarëve orthodhoksë në kishën e “Shën Marisë” të Elbasanit, si klerikë… nuk njihen si të tillë nga Kisha jonë Orthodhokse. Thonë se Arjan Koja është përgatitur si i tillë në Rumani, por deri më sot nuk dihet që një veprim i tillë të jetë bërë me miratimin e KOASH apo të Patrikanës Rumune… Dihen tashmë në marrëdhëniet vëllazërore midis dy drejtuesve shpirtërore të kishave orthodhokse të Rumanisë dhe Shqipërisë, Patrikut Teoktist dhe Kryepiskopit Anastas… Kush e përgatiti këtë sharlatan për t’u paraqitur si i tillë përpara besimtarëve orthodhoksë elbasanas?… Para pak kohësh Koja është paraqitur për të meshuar, pranë kishës arumune të Shën Sotirit në Korçë, ku meshon prifti Dhimitër Veriga. Arjan Kojës at Veriga iu përgjigj se nuk të njoh kush je ti dhe se zbatoj vetëm ligjet kanonike të KOASH.

Përsa i takon ish-seminaristit tjetër, Nikollë Markut, njeri nga më të ultit e Elbasanit, sipas Niko Kirkës është hirotonisur klerik në Maqedoni. Përse mjegull rreth kësaj ngjarjeje, kur dihet se ajo Kishë Orthodhokse nuk njihet nga asnjë kishë e botës dhe s’ka të drejtë të dorëzojë e përgatitë klerikë të një shteti tjetër, pa përmendur dhe qëndrimin e saj tepër negativ ndaj shqiptarëve të atjeshëm.

Një pyetje e dytë, që shqetëson çdo njeri të ndershëm qoftë ose jo besimtar është: Kush i nxit, i frymëzon e qëndron prapa këtyre dy personave të dyshimtë? Edhe përgjigja e kësaj pyetje është e qartë: Janë ata që kanë 5 vjet që shpifin një mijë e një ‘të zeza për drejtuesit e KOASH-it e besimtarët e saj… Janë këta njerëz që u verbon sytë rritja e forcimi i Kishës sonë, besimit të vjetër orthodhoks në Shqipëri, falë kontributit e reputacionit të Kryepiskopit Anastas; njerëz që rrojnë ende me vegime të së kaluarës.

Nuk është e rastit që ky veprim i shëmtuar ndodhi në të njëjtën ditë e orë kur në Katedralen e re “Ngjallja e Krishtit” në Korçë Kryepiskopi Anastas celebronte meshën e shenjtë, ku u dorëzua edhe një klerik i ri i qytetit, në prani të mijëra besimtarëve, personaliteteve shtetërore lokale, miqve nga SHBA, Rumania, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dekanit të trupit diplomatik z. George Miku, Ministres së Diasporës të Rumanisë etj. Ndodhi pikërisht atë ditë kur u lexua Deklarata e Patmosit e Kishave Orthodhokse dhe kur përurohej fillimi i punimeve në kishën arumune të “Metamorfozës së Shenjtë të Zotit Iisu Krisht”, kishë me tradita historike në Korçë.

Por, siç theksuam në fillim, RTSH-ja heshti në lidhje me këto ngjarje madhështore dhe ndoqi rigorozisht udhëzimet e atyre që e panë më të udhës të japin fjalën e të pafytyrit A. Koja në Elbasan, sesa ngjarjet e shenjta të Korçës.

Si përfundim, themi se këtu kemi të bëjmë me veprime të organizuara të atyre forcave që duan t’i vënë minat KOASH-it dhe besimit orthodhoks në Shqipëri… Por pa kishë orthodhokse s’do të ketë kurrë demokraci tek ne. Dihet se respektimi i lirive fetare, përkrahja e shtetit për lulëzimin e plotë të tyre, është kërkesë bazë e çdo rendi demokratik.

Lidhja e intelektualëve orthodhokse, Lidhja e gruas orthodhokse, Lidhja e rinisë orthodhokse, Korçë