EmailFacebookKontakt

Komunikate

Tiranë 12.10. 1995

1. Ajo që ndodhi më 8.10.1995 në Elbasan nuk ka asnjë lidhje me Orthodhoksinë. Ishte “teatër” i një cilësie të dobët, me protagonistë dy aktorë të këqinj, të shoqëruar nga figurantë muskulozë inkompetentë, dhe me regjizor, sipas dëshmitarëve të pranishëm, një person të besimit mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Sejfi Protopapa, të njohur që para tre vjetësh për mllefin e tij kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Autorët e skenarit, sado që përpiqen të mbeten në hije, i zbulojnë dritat e shumta të publicitetit që u përpoqën të sigurojnë për “shoe”-n.

Shfaqja e papritur dhe e zhurmshme e një 27-vjeçari gjoja arqimandrit dhe e një gjoja prifti nuk do të thotë asgjë për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Për të ata janë laikë të thjeshtë, që dikur studiuan në Seminar për një periudhë të shkurtër kohore, nuk dhanë kurrë provime dhe u përjashtuan për motive të dobëta. Nëse ndërkohë u bënë diçka tjetër, le ta provojnë ligjërisht në organet kompetente kishtare. Përsa i përket fjalës greke “arqimandrit”, që kaq shumë i pëlqen z. Arjan Koja, është thjesht një titull që u jepet klerikëve të pamartuar.

2. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është një Kishë Orthodhokse e organizuar, institucion zyrtar i njohur nga shteti shqiptar, me struktura dhe administratë të qartë e të njohur nga të gjitha Kishat Orthodhokse, si dhe nga kishat e tjera të krishtera të botës. Kisha Orthodhokse në botë është një institucion fetar 20-shekullor, me kanune të qëndrueshme dhe të pranuara nga të gjithë. Parim themelor i Orthodhoksisë është se asnjë episkop orthodhoks nuk mund të hirotonisë klerikë për një kishë tjetër pa dijeninë e episkopit të njohur kanonik të asaj kishe, aq më tepër nga një kishë tjetër Autoqefale. Nëse një prift ose dhiakon shkon për të meshuar në një episkopatë tjetër nga ajo në të cilën është dorëzuar, duhet që të kërkojë leje nga episkopi kanonik lokal, përndryshe ndaj tij merren masa. Kjo është elementare për shumë sektorë të një shoqërie të organizuar të një shteti ligjor. Për shembull, a është e mundur që dikush që ka studjuar në Bukuresht apo Shkup dhe ta zemë u bë aty mësues, të hyjë në një sallë të universitetit të Elbasanit për të dhënë mësim dhe të pretendojë se është dekani, sepse “është shtëpia” e tij?

3. Për sa i përket referimit të z. A. Koja në Kishën Orthodhokse të Rumanisë, nënvizojmë se: Kjo Kishë motër autoqefale ka gjithashtu strukturë dhe administratë të qartë. Drejtues të saj janë Fortlumturia e Tij Patriku Teoktist dhe Sinodi i Shenjtë, të cilët e kanë njohur zyrtarisht udhëheqjen e sotme të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shkëmbejnë vazhdimisht letra me Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas dhe marrëdhëniet e tyre janë mëse vëllazërore. Të dy kryetarët e kishave, në mënyrë të përsëritur, kanë marrë pjesë së bashku në takime të ndryshme dhe madje para 2 javësh morën pjesë në Kuvendin e Kryetarëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale në Patmos dhe nënshkruan së bashku një mesazh shumë të rëndësishëm. Në fund të tetorit, Kryepiskopi Anastas është i ftuar zyrtarisht në Bukuresht për festimet e 110-vjetorit të shpalljes së Autoqefalisë së Kishës së Rumanisë e 70-vjetorin e ngritjes së saj në rang Patrikane. Rrjedhimisht, përbën ofendim ndaj Kishës së Rumanisë pretendimi i të riut gjoja “arqimandrit” A. Koja se e ka dërguar Kisha Orthodhokse e Rumanisë në Shqipëri.

4. Thuhet se z. N. Marku nuk është hirotonisur fare ose u “hirotonis” jashtë Shqipërisë, madje edhe nga një episkop i Kishës skizmatike të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Edhe në rastin e dytë “hirotonia” e tij është shumëfish e pavlefshme, sepse ajo Kishë nuk njihet absolutrsht prej asnjë Kishe Orthodhokse. Rrjedhimisht, lajmërohen klerikët e laikët orthodhoksë, që çdo veprim kishtar që do të kryhet nga zotëria në fjalë, do të jetë plotësisht i pavlefshëm dhe asnjë Kishë Orthodhokse kanonike ose kishë tjetër në botë nuk ka për ta njohur. Në mesazhin e kohëve të fundit të Kuvendit të Kryetarëve të Kishave Orthodhokse (Patmos, 26 shtator 1995) theksohet me forcë: “Çdo Eukaristi Hyjnore e kryer nën drejtimin ose në emrin e Episkopit kanonik të vendit përbën boshtin dhe kriterin e gjithë jetës së Kishës… për rrjedhojë, është e qartë se, që Eukaristia Hyjnore të jetë e vlefshme dhe shpëtuese për pjesëmarrësit, duhet të kryhet gjithmonë në emër të Episkopit kanonik dhe me lejen e tij; kjo, sepse mënyra e kryerjes së saj duhet të përshtatet me natyrën dhe karakterin e saj si ikonë e Mbretërisë së Perëndisë dhe kuptimin final të qenieve”.

5. Frymëzuesit e këtij sakrilegji në Elbasan është e qartë se s’kanë asnjë lidhje me Kishën Orthodhokse dhe injorojnë parimet e kanunet e saj elementare. Këto “shoe” të tyre kujtojnë periudha dhe metoda të tjera dhe vënë në pikëpyetje seriozitetin e lirisë fetare në vendin tonë.

ZYRA E SHTYPIT