Kur mbi tokë u shfaqën tmerret e luftës, ai kishte lindur; kur klithte e agonizonte bota, ai përjetonte në një vend të saj.
Shpirti i tij ëngjëllor, shihte përtej dhimbjesh e gërmadhash, kërkonte Atin mes lutjesh, dhe asnjëherë s’dëshpërohej zemra e tij.
Ditët rrokulliseshin: të përgjakura, të rrafshta, shkrepëtyese, rrebele, të rreshkura, të mëdha, ngrirëse, të heshtura. Njerëzit, vërshonin marrëmendshëm si ujërat e zhurmshëm përmes kataraktit. Ndërsa ai, mendonte për Dashurinë, që mbështjell dheun; donte, që zemra e tij të fluturonte si pëllumbi i bardhë, të gjente shpresën, paqen për botën, që po rilindte.
E ja, Perëndia hyri në kopshtin e shpirtit të tij, dhuroi e mbolli lule erëkëndshme. Me aromën e tyre, sa shpirtra u shëruan, sa njerëz morën Jetë, sa ngazëllime shkëlqyen. Jo larg, është Afrika – dëshmi e udhëve të kurorëzuara prej fluturimeve Jetëdhënëse, Ringjallëse të tij. Kur e mbaroi Misionin e lartë, të perëndishëm, atje, mbeti Hiri i Lavdishëm, Strehimi Hyjnor i shpresës njerëzore, Kandili i Bukur, që përmban Dritën dhe çon lart nëpër Udhën, sy shpirtrash pas rilindjeve të përherëshme.
. . . E thirri Zëri përsëri. Të shkosh pas Tij, do të thotë Përulësi. Ta ndjekësh Atë, do të thotë të marrësh Kryqin në krahë e të mos njohësh, veç dashurinë për Të.
Dhe vërtet, ai mbërriti këtu. Pa fragmente lotësh, në horizonte shpirtrash; pa hidhërimin, që po tretej, gjeti zemra gufuese, etje, dele, që rendnin kudo dhe kurrkund, gjeti djemtë plangprishës, gjeti një humbëtirë dhe në fund të saj kurorën tonë të shprishur në ethe demonësh. . . Duhej ta merrte në duar këtë kurorë, ta ngrinte, të bëhej pjesë e jetës së saj, ta ushqente, ta mbronte, ta përgjonte si një nënë e dhembshur tek kalonte çastet e fundit të zjarrmisë e pasi ta vesonte me Fjalën, ta niste drejt Hapësirave Qiellore.
Erdhi ky hierapostull i Krishtit dhe çburgosi prej harresës dhe pluhurave stuhinore, rrënjët vezulluese, themelet e arta 2000-vjeçare të Orthodhoksisë, erdhi prej Shpirtit të Zotit kjo Ngjallje për eshtrat e pajeta, ku derdhej trishtueshëm braktisja e turpshme, dërgoi Perëndia Ngjalljen për Ngjallje . . . “Cila Perëndi, është aq e madhe, sa Perëndia jonë? Ti je Perëndi e vetme, që bën çudira!”
U end gjysëm e vdekur anija e besimit tonë, nëpër detra çmendurie, por mëshira e të Lartit. Dashuria e Tij, e nxori një ditë në ujdhesën e trëndafiltë të Shpresës e Paqes. Dhe u ngjit në të, vetë pionieri i misionarizmit orthodhoks i shek. XX, u ngjit për të sjellë Nektarin e Embël Ungjillëzues, u ngjit në këtë Kryq për të sjellë drejt nesh, Thesarin e Bekimit të Krishtit e për të çuar drejt Tij zemrat tona të brishta, u ngjit, për të shkëlqyer “si drita mes errësirës”.
Ndofta, askush s’mund ta dijë, se prej ç’druri të rëndë, është i ndërtuar ky Kryq, veç tij. Kur koha nxjerr herë-herë gjembaçë verdhanë, të helmët, që rrahin vetveten për t’u bërë me kurorë, që duan të shpojnë edhe ajrin, se, pse s’janë lule e me shigjeta hiri qëllojnë për të helmatisur Kryqin e Ndritur në krahët e tij. kuptojmë ndoshta një grimcë, prej peshës së atij Kryqi. Por përballë peshës – buzëqeshja, përballë rreziqeve, përpjekjeve, vuajtjeve – dashuria, mirësia, urtia, përulësia, virtytet hyjnore të tij përgjigjen: “Zgjedha e Krishtit është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë”. (Mat 11:30).
Sa mund ta tregoj falenderimin, që nxiton të dalë vrullshëm prej zemrave, ndaj Perëndisë: lumturinë e tyre për këtë bari, që Kryebariu e ka dërguar, ngazëllimin e tyre kur në sytë, në buzëqeshjen, në dashurinë e tij shohin Krishtin! Krishti – tek ai; kur flet, predikon, kur mendueshëm tret vështrimin diku larg dhe merr mbi vete dhimbje-gjaku, dhimbje-shpirtrash, kur rrethohet prej cicërimave të fëmijëve, kur ngazëllen në Festa Drite, kur lutet përkushtueshëm, kur ngre në rilindje, kur çdo ditë merr Kryqin e tij dhe përshkon një pjesë, prej udhës së Kalvarit … se “siç është Qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët!” se ai “është kryqëzuar bashkë me Krishtin dhe Krishti jeton tani në të”.
Dhe shpirti i tij i mbjellë nga Perëndia, përhap e përhap aromë se “ai është për Perëndinë, era e këndshme e Krishtit ndër ata, që shpëtohen. . . ”
Humba në gëzimin e të shkruarit për të, për “vëllanë e Krishtit”, që e kemi kaq pranë, për këtë njeri, që nga Burimi i Jetës, sjell Jetë në dheun tonë, dhe e ndiej, se kam treguar për ju, veç një shkëndijëz nga jeta-pishtar e tij. Por me gëzimin e kësaj shkëndijëze, dëshiroj të themi të gjithë fjalët e Apostull Pavlit. “Le ta falenderojmë Perëndinë, për dhuratën e tij të patregueshme” (2 Kor. 9:15) e t’i lutemi, që ta kemi midis nesh sa më gjatë, bekimin e Tij të paçmueshëm.
Efrosina Noti