EmailFacebookKontakt

Nga Arqidioqeza Shqiptare e Kishes Orthodhokse në Amerikë nuk mbështeten ngjarjet antikanonike të Elbasanit

Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

1 Nëntor, 1995

Fortlumturia Juaj, vëlla i dashur dhe bashkëmeshtar:

Ishte gëzim i madh për ne që u bekuam të presim Fortlumturinë Tuaj në rezidencën tonë, më 10 gusht 1995. Të gjithë ne u prekëm thellësisht nga shembulli personal i zellit dhe dashurisë kristiane i Fortlumturisë Tuaj.

U informova, si unë ashtu edhe Sinodhi i Shenjtë i Episkopëve të Kishës Orthodhokse në Amerikë, që dy persona që pretendojnë se janë priftërinj shkaktojnë përçarje në Kishën e Shqipërisë, pikërisht në Kishën e Shën Marisë në qytetin e Elbasanit. U vura gjithashtu në dijeni, si edhe Sinodhi i Shenjtë i Episkopëve të Kishës Orthodhokse në Amerikë, që gazeta shqiptaro-amerikane “ILLYRIA”, e cila botohet e shpërndahet këtu në Amerikën e Veriut, ka njoftuar kohët e fundit (në seksionin në gjuhën shqipe të gazetës), që këta dy persona kanë deklaruar se mbështeten nga Arqidioqeza Shqiptare e Kishës Orthodhokse në Amerikë.

Fortlumturia juaj, i kam shkruar gazetës “ILLYRIA” për t’i informuar ata, që Arqidioqeza Shqiptare e Kishës Orthodhokse në Amerikë nuk mbështet dhe as ka ndonjë lidhje me këta të dy që e heqin veten si klerikë. Këta dy njerëz nuk kanë asnjë status kanonik në Kishën Orthodhokse në Amerikë. Kisha Orthodhokse në Amerikë e kupton plotësisht autoritetin kanonik të një Episkopi në dioqezën e Tij, si dhe rregullin kanonik që duhet ndjekur nga klerikët që hyjnë në dioqezën e një episkopi të ndryshëm nga ai i tyri.

Unë kërkoj lutjet e Fortlumturisë suaj dhe në lutje kujtoj Fortlumturinë Tuaj, klerikët tuaj dhe grigjën tuaj besimtare. Zoti ju bekoftë dhe rrittë Kishën e Shenjtë Orthodhokse të Shqipërisë.

Me dashuri vëllazërore, përqafoj Fortlumturinë Tuaj.

Vëllai dhe bashkëmeshtari juaj.

+ THEODHOSI
Kryepiskop i Washingtonit, Administrator i Arqididoqezës Shqiptare, Mitropolit i gjithë Amerikës dhe Kanadasë

Shënim: Letrën drejtuar botuesit të “Illyrisë” nga Mitropoliti Theodhosi, mund ta lexoni në faqen 5.