Patriku Ekumenik Vartholomeu I, “i pari ndërmjet të barabartëve” në Episkopatën e Kishës Orthodhokse do të bëjë një vizitë zyrtare në Francë në datat 2-10 nëntor 1995, me ftesë të Këshillit të Kishave të krishtera në Francë, me rastin e 100-vjetorit të katedrales greke Saint-Etienne në Paris. Patriku do të takohet me anëtarë të komunitetit orthodhoks në Paris, Marsejë, Nisë dhe Monako, si dhe me autoritetet më të larta civile dhe fetare të vendit. Si momentet më të rëndësishme gjatë qëndrimit të tij në Francë, mund të përmendim takimin me Presidentin e Republikës, Jacques Chirac, në Pallatin e Elysee, fjalimi përpara Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, takimi me Presidentin e Këshillit të Kishave të krishtera në Francë etj.
Patriku do të mbajë edhe disa liturgji, si në Katedralen Saint-Alexandre-de-la-Neva, në katedralen Saint-Etienne etj.
Eshtë hera e parë që një Patriark Ekumenik bën një vizitë zyrtare në Paris. Kjo vizitë ka një rëndësi ekumenike dhe politike, por edhe pastorale sepse Parisi dhe Franca qëndrore, janë historikisht dhe sociologjikisht dy rajonet kryesore të ngulitjes orthodhokse në Francë, ku numërohen sot 150.000 deri 200.000 orthodhoksë të pagëzuar.
Marrë nga SOP-i