EmailFacebookKontakt

Ku janë gjithë shenjtorët?

Sot, më tepër se kurrë, prindërit kanë në dispozicion një hapësirë mjaft të gjerë këshillash se si të rritin fëmijët e tyre. Eshtë temë e programeve të radios dhe e artikujve të gazetave, dhe ne vazhdimisht shikojmë në televizion shembuj se si duhen mirërritur ata. Në televizion ne shikojmë fëmijë duke luajtur basketboll dhe duke pirë kokakola, ne shikojmë fëmijë që i kanë të gjitha lojrat e fundit, shikojmë vajza të reja të veshura me modë provokuese dhe gjithashtu, shikojmë njerëz që duan sa më shumë dhe më të mirën për veten e tyre. Çdo ditë jemi të bombarduar nga këto shembuj se si duhet të rritim fëmijët tanë. Por, nga perspektiva Orthodhokse, kjo është e njëanshme dhe e kufizuar. Shumë shembuj rreth asaj se si duhen rritur fëmijët, përgjithësisht, nuk e përfillin zhvillimin moral dhe shpirtëror të fëmijës në rritje. Prindërit kanë në dispozicion pak këshilla për mënyrën se si të rritin një fëmijë që të bëhet qytetar i Qiejve. Si prindër orthodhoksë, mund të shpresojmë që fëmijët tanë të bëhen si shenjtorët, vetëm në qoftë se ne u japim atyre elementet bazë të besimit tonë.

Jo shumë kohë më parë, prindërit i rritnin fëmijët e tyre për t’u bërë shenjtorë, për t’i shërbyer Perëndisë në këtë botë dhe për t’u bërë të denjë të hynin në Mbretërinë e Tij, kur të mbaronte jeta e tyre në tokë.

Veç pak breza më parë, vendet Orthodhokse rritnin shenjtorët e tyre. Por ç’ndodhi? A na ka bërë Materializmi dhe Antikrishtërimi i gjithë botës që të përshtatemi me rritjen e fëmijëve tanë sipas mënyrës së botës? Nuk duhet të ndodhë ashtu. Si prindër orthodhoksë ne mund të drejtohemi në Kishën tonë për të gjetur këshilla të mira e të qëndrueshme, për mënyrën se si duhet t’i rrisim fëmijët tanë për t’u bërë si shenjtorët. Ne ende kemi të njëjtat beteja shekullore kundër së cilave luftuan dhe fituan shenjtorët. Kjo nuk ka ndryshuar. Materializmi, shtypja sociale, egoizmi dhe dëshira për t’iu përshtatur botës kanë ekzistuar si tundime për të gjithë dhe shenjtorët, si në të kaluarën edhe tani në të tashmen. Po kjo mund të kapërcehet nëpërmjet përpjekjes për t’i rritur fëmijët tanë me idealet e larta të shenjtërisë, që na janë dhënë nga Krishti. Në qoftë se një fëmijë edukohet që të jetë siç e do Perëndia dhe të përqafojë jetën e Kishës që në vitet e hershme, ai do të mbetet një i krishterë i devotshëm, që do të ruajë parimet e mësuara gjatë rinisë dhe moshës së rritur.

Fëmija edukohet që të përqafojë jetën e Kishës së pari nga fjalët e vazhdueshme, të buta dhe të dashura rreth dhembshurisë së Atit, i Cili është në Qiell. Duke filluar që nga periudha kur fëmija lind, prindërit mund të tregojnë dhe ritregojnë histori të jetës së Krishtit. Historia e lindjes së Iisuit, vitet e rinisë si punëtor marangoz në Nazaret, mrekullitë e Tij, Pësimi dhe vdekja e Tij në Kryq janë histori të mrekullueshme dhe interesante, të cilat i edukojnë fëmijët tanë me besimin tonë në një nivel të kuptueshëm për ta. Këto janë mundësi që mund t’i përdorim për të shpjeguar se Iisu Krishti pësoi gjithë vuajtjet, sepse njerëzimi ishte i keq, dhe Ai i deshi ata, dhe dëshironte që ata të ishin në gjendje të arrinin Jetën e Përjetshme. Më vonë, historitë e shenjtorëve, shembulli i tyre për ne, martirizmi i tyre, sakrificat e tyre, besimi i tyre i vendosur në kohët e ngasjeve, dashuria e tyre e çiltër dhe dëshira e tyre për Krishtin janë shembuj të mirë për familjet tona që t’i kenë si modele për jetën. Çdo kremte e Kishës ka një histori të re për fëmijën.

Ikonat tona të shenjta na tregojnë një histori të ngjarjeve të mëdha dhe heronjve të mëdhenj të Kishës sonë. Kur ju jeni me fëmijën tuaj dhe shkoni të puthni ikonat e shenjtorëve, ju mund të qëndroni një minutë për t’i treguar virtytet e mëdha që kishte ai shenjt, dhe që ne mund t’i imitojmë. Kjo është mënyra se si fëmijët e vegjël mund të përqafojnë Kishën tonë të shenjtë Orthodhokse. Kur fëmija bëhet pak më i madh ne mund të fillojmë të lidhim festimin e Krishtlindjes me historinë e ardhjes së Krishtit në këtë botë për të jetuar si njeri, dhe jetën e thjeshtë që Ai kaloi, si dhe që vetëm Ai mund të na shpëtojë ne në kryq. Vezët e kuqe të Pashkës mund të lidhen me vuajtjen që Zoti dhe Shpëtimtari ynë Iisu Krisht deri në vdekje për mëkatet e njerëzimit. Fëmija do të fillojë të kuptojë se për këtë arsye ne nuk duhet të mëkatojmë.

Duke bërë këtë, ne do të vëmë bazën e besimit tonë në një nivel pak më kompleks e cila mund të përvetësohet edhe nga fëmija i vogël para se të fillojë shkollën.

Këto janë mjetet të cilat mund të përdoren nga prindërit orthodhoksë për t’u mësuar fëmijëve besimin orthodhoks. Që në moshë shumë të re vendosim bazat e krishtera, mësojmë bindjen, të vërtetën dhe virtytet e shenjtorëve. Shembulli i jetës sonë është mjeti i parë dhe thelbësor i edukimit. Bibla e Shenjtë dhe ikonat e Kishës sonë janë një mjet tjetër edukimi. Jetët e shenjtorëve janë gjithashtu të një rëndësie të madhe. Si prindër, ne kemi një detyrë dhe përgjegjësi të madhe që të formojmë tek këta fëmijë shenjtorët e mëdhenj të brezave të ardhshëm.