Në verë të vitit 1953 një ekspeditë e ish Institutit të Shkencave për herë të parë deshifroi mbishkrimin e madh në murin perëndimor brenda Kishës së Shën Kollit në Voskopojë. Ky deshifrim na bëri të njohur emrin e David Selenicasit, piktorit më të madh afreskograf shqiptar të shekullit të XVIII. Përveç mbishkrimit të mësipërm, deri më sot nuk njihet asnjë burim tjetër që të flasë mbi të. Të dhënat që dalin nga mbishkrimi janë fare të pakta dhe nuk flasin mbi jetën e piktorit. Ja disa pjesë të mbishkrimit: “… kunga (që është punuar në mënyrë shembullore)…… dhe rreth e përqark naosit është pikturuar në mënyrë madhështore, përgjithësisht me dorën e të shumëditurit dhe me furçën e hollë të gjithëoshënarit zotit David Selenicasit dhe me shoqërimin e Kostandinit e të Kristos,……… 18 tetor 1726”.
Në vendin tonë njihen Selenica e Kolonjës, ajo e Pishës, ajo e Frashërit dhe ajo e Vlorës. Mbishkrimi nuk cilëson nga cila Selenicë është piktori. Mbasi Selenica e Kolonjës ka pasë qenë më e zhvilluar nga të tjerat, ka të ngjarë që kryemjeshtri piktor Davidi të ketë pasë qenë nga kjo Selenicë.
Për piktorët shoqërues të Davidit, Kostandinit dhe Kristos, në mbishkrim përveç emrit, nuk theksohet gjë tjetër. Mund që këta të kenë qenë kushërinj ose bashkëfshatarë të Davidit, mbasi piktorët mjeshtra në atë kohë merrnin ndihmës zakonisht nga njerëzit më të afërm të tyre.
Interesant është edhe fakti që punë të tjera të piktor Davidit nuk janë gjetë deri më sot në asnjë vend tjetër në Shqipëri, përveç atyre në Kishën e Shën Kollit. Supozimi se vepra të tjera të Davidit të mund të jenë zhdukur, nuk duket me vend, për arsye se shek. XVIII nuk është shumë i largët dhe se punët e piktorëve të tjerë të këtij shekulli ruhen gati të gjitha. Nga ana tjetër, arti piktural i Davidit ndryshon shumë nga arti i piktorëve tanë para dhe mbas tij, kështu që shfaqja e Davidit me një art të ndryshëm tepër të avancuar, në një kohë kur arti i vendit tonë ishte duke rënë, mbetet si një fenomen i cili posa u duk, menjëherë u zhduk. Për këto arsye mund të supozohet se piktor Davidi të ketë ardhur nga jashtë.
Veprimtarinë e tij artistike Davidi e ka derdhur vetëm brenda Kishës së Shën Kollit. Hajatin e kësaj kishe jashtë e kanë pikturuar më vonë (1750) piktorët vëllezër korçarë Konstandin dhe Athanas Zografi.
Kisha e Shën Kollit në Voskopojë është një bazilikë e shek. XVIII, nga më të mëdhatë dhe nga më madhështoret e këtij tipi që ndodhen në vendin tonë, me madhësi 33×18 m., e ndarë me shtylla në tre nefe. Ikonostasi nuk ruan formën e tij të parë, ai përbëhet prej copash ikonostasesh në ndryshëm, të rradhitura jo mirë. Në këtë kishë madhështore ka punuar Davidi dhe shoqëruesit e tij. Të gjitha faqet e mureve, të kubeve dhe të kollonave janë veshur me skena, piktura dhe ornamente agjiografike.
Kryemjeshtri ka punuar afresket e faqeve të mureve në kungë, ato në të dy faqet murale të naosit dhe skenat më kryesore mbi kubetë. Punimet e tjera, që paraqiten shumë më të dobëta nga ato të Davidit, të pikturuara në vende të kishës që dalin pak në reliev, duhet të jenë punuar nga ndihmësit e tij, piktorët Kostandin e Kristo, që përmenden në mbishkrim.
Tematika e afrëskeve të David Selenicasit është po ajo e përdorur edhe nga piktorët e tjerë shqiptarë e të huaj nëpër kishat tona, e që është zhvilluar dhe përdorur gjatë shekujve në Kishën Lindore. Kjo tematikë përbëhet prej temash nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, nga historia dhe gojëdhana të Kishës, nga Liturgjika dhe disiplina të tjera teologjike. Vlen të theksohet se Davidi ka përdorur tema që ruhen rrallë në pikturën tonë të vjetër.
Përveç temave të zakonshme nga Dhiata e Re, festat e mëdha të Krishtit që lidhen direkt me dogmatikën, si Lindja e Krishtit, Pagëzimi i Krishtit, Zbritja në Ferr, Ngjallja, Shestja etj., dhe afresket e Shën Marisë si Lindja e Shën Marisë, Ungjillëzimi dhe Fjetja e Shën Marisë, Davidi ka pikturuar skena të rralla që janë ose nga dogmatika ose nga gojëdhana e Kishës dhe Jeta e shenjtorëve. Të tilla janë: Krishti me fletë si engjëll, i quajtur “Këshilltar i mrekullueshëm”; në vazhdim të skenës Fjetja e Shën Marisë është pikturuar “Ngritja e Shën Marisë me trup në qiell”. Të përmendim pastaj skenën “Therja e fëmijëve të Vithleemit”, e cila rrallë haset në kishat tona.
Nga gojëdhana e Kishës Davidi na jep Ungjillor Llukain si piktor duke pikturuar ikonën e Shën Marisë, Shën Kristoforin me fytyrë qeni, shën Amoin të zi, si arap, me çallmë e veshje beduine.
Përveç këtyre temave dhe shumë të tjerave të zakonshme Davidi ka pikturuar në nefin jugor të kishës disa skena nga jeta e Shën Kollit emrit të të cilit i kushtohet kisha. Të tilla janë: Shën Kolli ndihmon një të vobekt për të martuar vajzat”, “Shën Kolli duke shpëtuar një njeri që ka rënë nga varka në det”, “Shën Kolli duke shpëtuar nga ekzekutimi tre të dënuar me prerje koke” etj.
Një nga temat interesante të Davidit është ajo e ktitorit të kishës në të cilën ktitori, veshur me kostum voskopojar të kohës së tij, i ofron Shën Kollit maketin e kishës. Temat e tjera janë pak a shumë të zakonshme.
Çfaqja e David Selenicasit me një art të një niveli të lartë, shumë të avancuar në krahasim me rrethanat e vendit e të kohës duhet të konsiderohet një fenomen. Punët e piktorëve të tjerë ikonografë shqiptarë të shek. XVIII, nuk krahasohen aspak me punën e Davidit, dhe para Davidit, tek ne nuk gjenden piktura nga të cilat ai mund të ketë mësuar e të jetë zhvilluar.
Për këto arsye është me vend të supozohet që Davidi, mbasi të ketë marrë mësimet e para të pikturimit në Shqipëri prej ndonjë piktori vendas, duhet të ketë dalë jashtë, në ndonjë qendër shumë të përparuar, ku të ketë zhvilluar dhe perfeksionuar mjeshtërinë e tij në nivelin e lartë artistik që qëndron. Eshtë vështirë të shpjegohet ndryshe shfaqja e artit të lartë të David Selenicasit tek ne në shek. XVIII.
Veprat monumentale të Davidit me përsosmëri në art, dëshmojnë se ky mjeshtër i madh shqiptar, është një nga figurat më të shquara, nga artistët më të talentuar të kohës së tij, jo vetëm për vendin tonë, por ndofta dhe në gjithë popujt e Kishës Lindore.
[Foto: Hyrja e Shën Marisë në Tempull – David Seleniasi: Ikonë e Shek XVIII]