EmailFacebookKontakt

Nga përshëndetja e Kryepiskopit Anastas

Tërëshenjti Kryepiskop i Konstandinopojës, Romës së Re dhe Patrik Ekumenik, zoti Vartholome,

Në çdo Liturgji Hyjnore, duke u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Krishtit dhe duke kujtuar të gjithë Patrikët dhe Kryepiskopët e Tërëshenjtë dhe të Nderuar të Kishave Orthodhokse Autoqefale të çdo vendi, përjetojmë unitetin e Kishës, e cila është Një, e Shenjtë, e Përgjithshme dhe Apostolike “e shtrirë në të gjithë botën”. Po në mënyrë të veçantë, Liturgjia Hyjnore e sotshme që zhvillohet në Kishën e Manastirit të Shën Triadhës të Shkollës së dëgjuar Teologjike të Halkit, përbën për ne një dhurëti të posaçme dhe stacion historik kishtar, sepse është hera e parë që një delegacion zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pati bekimin të bashkëmeshojë me Patrikun Ekumenik dhe me Sinodhin e Tij të Shenjtë e të Hirshëm, dhe kështu të forcohet lidhja më Shpirtin e Shenjtë të Kishës në Shqipëri me Kishën e Madhe të Krishtit.

Tërëshenjtëri, siç e dini edhe Ju, prej vitit 1944 gjer më 1990 Kisha Orthodhokse në Shqipëri jetoi përndjekjen më të frikshme. Besimtarët e zgjedhur orthodhoksë të Shqipërisë gjatë kësaj prove të tyre të dhimbshme vështronin plot shpresë te Kisha e Madhe dhe e Shenjtë e Krishtit, dhe prandaj, sapo lindi periudha e re e demokracisë, me falenderim të ngrohtë dhe me besim të plotë përshëndetën kujdesin e Patrikanës Ekumenike për ringritjen kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dhe tek ajo u drejtuan menjëherë për mëkëmbjen e Kishës së tyre, me bindjen se ky Fron Apostolik, Patriarkal dhe Ekumenik ka në bazë të traditës shumëshekullore kujdesin për të gjithë Kishat Orthodhokse të ndodhura në shtrëngime dhe nevoja, si edhe detyrën dhe të drejtën për t’i ndihmuar ato. Dhe përkrahja e Kishës së Madhe të Krishtit për Kishën në Shqipëri ka qenë vërtet e drejtpërdrejtë dhe shpëtimtare. Prandaj, me ndjenjat e një mallëngjimi të thellë, lavdërimi dhe mirënjohjeje gjendemi këto ditë tek Qëndra e Nderuar e Orthodhoksisë, duke thirrur me zë të lartë: “Qoftë i bekuar emri i Zotit”. “Si t’ia shpërblejmë Zotit për gjithë ato të mira që na ka dhënë?”….

Prandaj, duke lavdëruar Perëndinë dhuratëdhënës dhe duke ditur interesimin e drejtpërdrejtë dhe të sinqertë të Tërëshenjtërisë Tuaj të hyjshme e të respektuar për çdo hap të Kishës sonë, dëshirojmë që edhe në këtë moment të hirshëm ta sigurojmë Atë, se gjatë kohës trevjeçare që ka kaluar, me hirin hyjnor, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u ringrit me ritme të shpejta. U zhvillua vepra orthodhokse liturgjike, predikuese dhe katekitike nëpër qytetet dhe fshatrat; funksionoi shkolla Teologjike Hieratike dhe u hirotonisën 65 klerikë; me dhjetra kisha të reja u ngritën, të vjetra u restauruan ose u riparuan; u morën ndërtesa të reja për Kryepiskopatën e Tiranës dhe Mitropolinë e Gjirokastrës dhe u ngritën Qendra Orthodhokse në qytetet e Sarandës e të Elbasanit; rindërtohet Manastiri i hirshëm i Shën Vlashit të Durrësit dhe pranë tij ngrihet një kompleks ndërtesash për Shkollën Teologjike Hieratike. Eshtë zhvilluar veprimtaria përkthyese e botuese me botimin e librave liturgjikë dhe edukues si edhe të gazetës mujore “Ngjallja”; u morën elemente pronësie të Kishës dhe u shtuan të reja (shtypëshkronja, fabrika e qirinjve etj), u organizuan enoritë; u ngritën Lidhjet e rinisë orthodhokse, të grave orthodhokse dhe të intelektualëve orthodhoksë; u zhvillua gjerësisht veprimtaria shoqërore e Kishës; u krijua klinika e parë orthodhokse dhe përkujdesjet e para orthodhokse për fëmijë dhe u organizuan programe të ndihmës bujqësore. Prezenca dhe kontributi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në zhvillimin e vendit është gjerësisht e ndjeshme.

Përpjekja në fjalë për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri kryhet në një kohë kur, pas tërmetit të madh të përndjekjes vazhdojnë lëkundjet passizmike…. “Po mbi gjithë këto, ne dalim mëse fitimtarë me anë të Atij që na deshi” (Rom. 8,37). Vizita zyrtare e delegacionit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është njëkohësisht për të gjithë ne rast lutjeje, bekimi të ri dhe mbështetjeje. Përvoja e gjatë prej shekujsh dhe durimi me të cilën Patrikana Ekumenike ka përballuar dallgë provash dhe çastesh martirike, përbën për ne burim inkurajimi dhe shprese….

Nga ana e të gjithë neve, lutemi pranoni, Imzot fort i Tërëshenjtë dhe Vëlla i respektuar dhe fort i dashur, si një “shenjë” të thjeshtë të mirënjohjes së Kishës tonë, një ikonë të Kreut të Kishës, të punuar me dashuri dhe lutje prej një agjiografi të ri, anëtar i Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Kjo ikonë e Zotit, i Cili u përndoq me një pasion maniak prej njerëzve në pushtet gjatë persekutimit të frikshëm 46-vjeçar, u rimëkëmb në jetën e shoqërisë shqiptare. Dhe në rivendosjen përsëri të kësaj ikone të Shpërblyesit në jetën e besimtarëve orthodhoksë të sprovuar tmerrësisht, kontributi i Tërëshenjtërisë Tuaj të Forthyjshme e të respektuar e në përgjithësi të Patrikanës Ekumenike ka qenë vendimtar. Prandaj, falenderimi i tërë grigjës orthodhokse në Shqipëri për Ju do të burojë gjithmonë së thelli për kujdesin e pakursyer dhe për dashurinë Tuaj të shprehur vazhdimisht e në shumë mënyra.

Lutuni, Tërëshenjtëri, që, me ndërhyrjen dhe fuqinë e Themeluesit të Kishës… duke ecur me frikë Perëndie, me përulësi dhe dashuri pa hipokrizi, të plotësojmë detyrën kishtare që na është besuar prej Perëndisë dhe na është ngarkuar pas kërkesës së Kishës lokale, me vendim të Fronit Ekumenik ne të padenjve në Kishën martire të Shqipërisë. Dhe ne, kler e besimtarë të Kishës fort të shenjtë të Shqipërisë, nga thellësia e shpirtit i drejtojmë lutje dhe urata lutëse Perëndisë Triadik që të bekojë me begati inisiativat dhe veprimtaritë plot frymëzim të Tërëshenjtërisë Tuaj fort të hyjshme e shumë të dashur si edhe të Sinodhit të Shenjtë e të hirshëm që kini pranë, që të bëhet e ndjeshme prezenca frymësjellëse, dinamike e Orthodhoksisë në botën kontemporane.