EmailFacebookKontakt

Mesazhi i Kryetarëve të Kishave Orthodhokse

“Bekimi e lavdia e dituria, falenderimi dhe nderi e fuqia e forca është mbë Perëndinë tonë në jetë të jetëve. Amin.” (Apokalipsi 7: 12).

1. Lavdi dhe lavdërim dhe falenderim i drejtojmë Perëndisë Sonë Triadik, që na bëri përsëri të denjë, me mëshirën dhe Hirin e Tij, ne, Kryetarët e Kishave të Tërëshenjta Orthodhokse lokale, të mblidhemi “në ishullin që quhet Patmos” (Apokalipsi 1:19), për të kremtuar së bashku mbushjen e 1900 vjetëve nga shkrimi i Librit të Shenjtë të Apokalipsit të Joanit, që shënon mbylljen e Shkrimeve të Shenjta të Kishës.

Duke bashkëkremtuar ndritshëm dhe bashkëmeshuar për Zotin, në kujtimin e shenjtë të fjetjes së Apostullit dhe Ungjillorit të Shenjtë dhe të lavdishëm Joan dhe duke Kunguar me Bukën dhe Potirin e besimit, shpresës dhe dashurisë sonë të përbashkët, dëshirojmë t’u drejtojmë besimtarëve të Kishës sonë të Tërëshenjtë Orthodhokse dhe gjithë atyre që besojnë tek Krishti, si edhe çdo njeriu “me vullnet të mirë”, mesazh paqeje dhe dashurie dhe së bashku me ta të dëgjojmë ç’u thotë Fryma Kishave (Ap. 2, 11; 17, 29 dhe 3, 6; 13; 22), gjatë këtyre kohëve kritike.

2. Nga fakti se kohët janë me të vërtetë kritike, detyra e Kishës së Krishtit jo vetëm ndaj bijve të saj, por edhe ndaj gjithë njerëzve, si edhe ndaj gjithë Krijesës së Perëndisë, bëhet e rëndë dhe e shumanshme. Krucialitetin e kohërave, të cilat nga shumë njerëz karakterizohen si “apokaliptike”, e shkakton dhe e intesifikon largimi dhe apostazia e njerëzve nga Perëndia dhe si rrjedhojë e saj, hyjnizimi i fuqisë dhe i kënaqësisë mondane, në altarin e të cilit sakrifikohen të gjitha, njerëzit, por edhe krijesa tjetër materiale.

Gjatë këtyre kohërave e ndjejmë për detyrë të nënvizojmë rëndësinë e Apokalipsit më Krishtin për përparimin e njerëzimit, paqen dhe vëllazërimin e popujve dhe përgjegjësinë e Kishave Orthodhokse që të kontribuojnë me të gjitha forcat për mbizotërimin e këtyre parimeve në të gjithë botën, duke u bërë mbartës dhe lajmëtarë të frymës dhe të moralit të këtij Apokalipsi.

Ndaj, nga ky vend i hyjshëm, i shenjtëruar nga dashuria e Ungjillorit të dashurisë, u drejtohemi të gjithëve, së pari të fuqishmëve të dheut dhe atyre që jetojnë në rajone konfliktesh dhe luftrash, thirrje për të vërtetën, paqen dhe drejtësinë për të gjithë. Për këtë qëllim, edhe ne si Kisha jemi të gatshëm të ofrojmë fuqitë tona shpirtërore dhe morale kudo ku është e nevojshme.

3. Nëpërmjet thirrjes sonë dëshirojmë t’ua bëjmë të qartë të gjithëve, veçanërisht atyre që qëllimisht ose nga padija paraqesin imazhin e Kishës Orthodhokse të pasaktë dhe të shtrembëruar, se koncepti kishtar orthodhoks për “kombin” në asnjë mënyrë nuk përmban ndonjë element agresiviteti dhe përplasjeje midis popujve, por u referohet veçorive të secilit prej tyre, të drejtës së tyre të shenjtë për të ruajtur dhe kultivuar pasurinë e traditës së tyre dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në progresin, paqen dhe pajtimin e gjithë njerëzve. Për këtë arsye dënojmë çdo fanatizëm nationalist i cili mund të çojë në përçarje dhe urrejtje midis njerëzve, në prishjen a zhdukjen e veçorive kulturore dhe fetare të popujve të tjerë të botës dhe në shkeljen e së drejtës së shenjtë të lirisë dhe dinjitetit të figurës njerëzore dhe të minoriteteve kudo në botë.

4. Ky mesazh drejtohet në një kthesë vendimtare të historisë njerëzore, e cila shënohet nga afrimi i fundit të mijëvjeçarit të dytë pas Krishtit dhe agimi i shekullit të XXI. Kisha Orthodhokse nuk mund të lerë që ky përvjetor të kalojë pa u vënë re, edhe pse sigurisht, e di se matja e kohës në mijëvjeçare ose njësi të tjera kohore, përbën në thelb veprim konvencional. Fakti se koha historike matet në referim me Krishtin, i fton, së pari, ata që besojnë tek Krishti, që të vënë re këtë kthesë historike dhe ta përdorin atë si shans për të çmuar ngjarjet e mëdha të shekullit që mbaron dhe për të vlerësuar problemet dhe mundësitë e shekullit të ri që po lind.

Për këto arsye, Kisha Orthodhokse synon të organizojë festim panorthodhoks të jubileut të vitit 2000 pas Krishtit, gjatë të cilit do të lavdërojë Zotin e Historisë për të gjitha sa i ka dhënë Kishës dhe botës së Tij gjatë shekullit që mbaron, duke lavdëruar Perëndinë sipas thënies së Atit të Shenjtë të Kishës “për të gjitha”, do të evokojë hirin, ndriçimin dhe konceptin e Tij mbi Kishën dhe botën e Tij gjatë mijëvjeçarit të ardhshëm.

5. Në retrospektivën e shekullit që po mbaron, vërejmë se për Kishën Orthodhokse është plot me ngjarje të rëndësishme. Në vende të ndryshme të Krishterët Orthodhoksë ruajtën persekutime të ashpra dhe të gjata. Martirizimi i tyre fuqizoi moralin orthodhoks të përulësisë ungjillore, të durimit dhe të besimit të shenjtorëve (Ap. 13,10) të besimit tek Ai i Cili doli “duke fituar edhe që të fitojë” (Ap. 6,2) dhe të sigurisë, se në përjetimin e Kryqit të Krishtit bashkëjeton edhe përjetimi i Ngjalljes. Gjaku i këtyre martirëve i njohur dhe të panjohur lidh kishën tonë në mënyrë të veçantë me kohët apostolike.

6. Kjo përvojë martirike u shoqërua dhe nga dëshmia Theologjike Orthodhokse, me anë të së cilës u ripërtëri Theologjia e Etërve dhe u evidentua doktrina patristike mbi botën dhe njeriun, si edhe mbi Kishën dhe misteret e saj.

Rizbulimi dhe prezantimi krijues i doktrinës së Etërve Grekë të Kishës, i gjuhës dhe bukurisë shpirtërore të ikonave, i zgjimi i ndërgjegjes hierapostolike, si edhe lulëzimi i jetës monakale dhe rizbulimi e vlerësimi i mendimit të Etërve niptikë, në kombinim me një dialog produktiv me rrymat bashkëkohore të filozofisë dhe shkencës, e bënë teologjinë orthodhokse të gjallë dhe të respektuar botërisht, ndaj dhe duhet të nderojmë pionierët e këtij lulëzimi teologjik, të cilët me përpjekjen e tyre të mundimshme udhëhoqën teologjinë orthodhokse në dëshmi të përbashkët në botën bashkëkohore, përtej dallimeve dhe caqeve nacionale a raciale.

7. Kjo ringjallje produktive e frymës së Etërve të Kishës ndihmoi botën teologjike dhe kishtare bashkëkohore, jo vetëm në përtëritjen e jetës së kishave tona lokale në përgjithësi, por gjithashtu prezantoi në organizmat e ndryshme të Lëvizjes Ekumenike kontemporane dhe në dialogjet teologjike përkatëse dypalësh ose shumëpalëshe dëshminë e Kishës së vetme, të shenjtë e apostolike. Lëvizja Ekumenike në përgjithësi, prania e së cilës në fund të mijëvjeçarit që mbaron qe intensive dhe u dha krahë shpresave të shenjta midis të krishterëve të ndarë, u bë një vend i rëndësishëm i dëshmisë, vlerësimit dhe kontributit të teologjisë orthodhokse. Por, fatkeqësisht, krizat e vërejtura gjatë dekadave të fundit në gjirin e Lëvizjes Ekumenike, i imponojnë Kishës Orthodhokse nevojën e qëndresës ndaj devijimeve të tilla dhe të promovimit të Traditës së mirëfilltë Apostolike. Jemi veçanërishrt të mendimit veçanërisht i përbëjnë pengesa serioze në përparimin e dialogut tonë me romano-katolikët dhe protestantët.

8. Gjatë këtyre kohëve të sekularizmit të theksuar, del në pah sidomos nevoja e veçimit të rëndësisë së shenjtërisë së jetës, kundrejt krizës shpirtërore e cila karakterizon kulturën moderne. Ngatërrimi i lirisë me liberalitetin çon në rritjen e kriminalitetit dhe në humbjen e respektit për lirinë e tjetrit, për shenjtërinë e jetës, madje edhe në dhunimin e botës natyrore dhe në shkatërrimin ekologjik. Tradita Orthodhokse e formuar nëpërmjet përjetimit me vepra të të vërtetave kristiane është mbartëse spiritualiteti dhe morali asketik, i cili duhet treguar dhe prezantuar veçanërisht në kohët tona.

9. Kjo përvojë dhe dëshmi orthodhokse i ofrohet me përulësi mbarë botës, gjithë njerëzve dhe popujve pa përjashtim, me respekt për lirinë dhe individualitetin e secilit, me bindjen ndaj Atij, i Cili “u therr dhe na shpërbleu tek Perëndia me gjakun e Tij prej çdo race, gjuhe, populli e kombi” (Ap. 5,9). Horizonti i hierapostolisë orthodhokse, me gjithë vështirësitë e përkohshme, mbetet universal, ndërsa aspirata dhe rruga e saj eskatologjike.

10. Veçanërisht për problemin ekologjik i cili është i mprehtë dhe kërcënues për të gjithë, edhe nëpërmjet këtij mesazhi përsëritim interesimin e gjallë dhe intensiv të Kishës Orthodhokse për përdorim të drejtë të mjedisit. Që gjatë kuvendit tonë të mëparshëm, në Selinë e Patrikanës Ekumenike, manifestuam këtë interesim. Rikujtojmë se me iniciativë të Patrikanës Ekumenike u organizuan kongrese respektive për këtë çështje dhe 1 shtatori i çdo viti u caktua si ditë e lutjeve për mbrojtjen e mjedisit natyror. Edhe tani deklarojmë, se këtë çështje e konsiderojmë tepër serioze dhe i ftojmë të gjithë të jenë sy çelët dhe të marrim të gjitha masat e domosdoshme për shpëtimin dhe mbrojtjen e krijesës të Perëndisë. Kisha Orthodhokse e konsideron njeriun përdorues dhe jopronar të krijesës materiale. Këtë koncept e shpreh në veçanti e gjithë tradita dhe përvoja e saj asketike dhe adhuruese – madje dhe ajo eukaristike.

11. Rëndësia dhe kuptimi i Eukaristisë Hyjnore, si qendër dhe kriter i gjithë jetës së Kishës, është i qartë. Të gjithë Misteret e Shenjta dhe tërë jeta kishtare lëvizin rreth Eukaristisë Hyjnore dhe marrin ekzistencën e tyre nga lidhja me të. Çdo Eukaristi Hyjnore e kryer nën drejtimin ose në emrin e Episkopit kanonik të vendit përbën boshtin dhe kriterin e gjithë jetës së Kishës dhe zbulon kuptimin më të thellë dhe të fundit të ekzistencës së gjithë krijesës, i cili është pjesëmarrja e saj në jetën e Perëndisë Triadik.

Për rrjedhojë, është e qartë se, që Eukaristia Hyjnore të jetë e vlefshme dhe shpëtuese për pjesëmarrësit, duhet të kryhet gjithmonë në emër të Episkopit kanonik dhe me lejen e tij, kjo, sepse mënyra e kryerjes së saj duhet të përshtatet me natyrën dhe karakterin e saj si ikonë e Mbretërisë së Perëndisë dhe kuptimin final të qënieve. Kjo është e domosdoshme, sepse, fatkeqësisht, herë pas here vihen re devijime serioze përsa i përket lejes dhe përmendjes të Episkopit kanonik në anaforanë e shenjtë, ndërsa mënyra e kryerjes së Liturgjisë Hyjnore dhe e gjithë adhurimit shfaq herë pas here ndikime të huaja për Traditën Orthodhkse.

12. Edhe tani, duke pritur me besim dhe shpresë mijëvjeçarin e ri, i ftojmë të gjithë në lutje dhe vigjilencë përpara problemeve të mëdha, por edhe mundësive serioze që shihen në horizont. Arritjet e shkencës në të gjitha fushat, veçanërisht në biologji, parathonë arritje të pakonceptueshme, por edhe rreziqe. Kisha nuk mund të mungojë nga zhvillimet perspektive, përderisa prej tyre varet mbijetesa e figurës njerëzore si ikonë e Perëndisë.

13. Në aspektin e ndryshimeve politike, Kisha Orthodhokse dëshiron të ruajë përsëri parimin konstant të mos përzierjes së saj në politikë. Sigurisht, nuk mund të qëndrojë indiferente, kur vendime politike cënojnë vetë ekzistencën e Kishave Orthodhokse, ndaj edhe pret që në raste të tilla të kërkohet dhe të merret parasysh seriozisht pozicioni i saj. Si një rast të tillë, konsiderojmë çështjen e së ardhmes së Tokës së Shenjtë, vendeve të shenjta dhe komunitetit që jeton aty, gjë që preokupon mbarë Orthodhoksinë dhe në veçanti Patrikanën e Jerusalemit. Prandaj, çdo diskutim lidhur me ndryshimin e status-quo së Tokës së Shenjtë, i cili u sanksionua me vendime dhe Konventa Ndërkombëtare gjatë shekujve, nuk mund dhe nuk lejohet të bëhet pa dijeninë dhe në mungesë të Patrikanës Orthodhokse të Jerusalemit që jeton aty prej shekujsh.

14. Në aspektin më të gjerë të kulturës, nga shumë njerëz shprehet mendimi, se mijëvjeçari që po vjen do të sjellë njerëzimin përballë përplasjes së kulturave, në të cilat do të mbizotërojë elementi fetar. Kjo mundësi u imponon gjithë udhëheqësve fetarë urtësi, arsye, dhe guxim, që të parandalohet dhe të shfaroset çdo element fanatizmi dhe urrejtjeje dhe të ruhet paqja e botës aq shumë e munduar prej luftrave dhe përplasjeve gjatë mijëvjeçarit që mbaron.

15. Në një botë e cila ndeshet me çdo lloj herezish dhe interpretimesh frikësuese të librit të Apokalipsit, të gjithë ne, dhe në veçanti brezi i ri, thërritemi për të mësuar dhe për të dëshmuar me fjalë dhe me vepra, se vetëm dashuria e Perëndisë, e njerëzve të tjerë dhe e gjithë krijesës, i japin kuptim dhe shpëtim jetës sonë edhe në çastet më të vështira të historisë.

Megjithë paraqitjen dramatike të ngjarjeve, libri i Apokalipsit përmban në thellësinë e vet Ungjillin e Krishtit, domethënë na zbulon neve se mëkati njerëzor dhe forcat shkatërrirntare demoniake u mundën, dhe do të munden nga Iisu Krishti, zoti i historisë, i cili është Alfa dhe Omega” (Fillimi dhe Fundi)… Ai që është, dhe që ishte, dhe që vjen, i Gjithëpushtetshmi” (Ap. 1,8).

Këto ju drejtojmë, vëllezër dhe bij, nga ishulli i Patmosit, duke ju përqafuar me puthje të shenjtë dhe duke ju përcjellë juve dhe gjithë botës zërin e shkrimtarit të shenjtë të Apokalipsit, zë shprese, dashurie dhe besimi:

“Ja, tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, edhe do të rrijë bashkë me ata, edhe ata do të jenë populli i Atij, edhe Perëndia do të jetë bashkë me ata, Perëndi e atyre. Edhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e atyre, edhe vdekja nuk do të jetë më, sepse të parat shkuan.” (Apokalipsi 21:3-4).

Hiri i Zotit tonë Iisu Krisht dhe dashuria e Perëndisë dhe e Atit dhe pjesëmarrja e Shpirtit të Shenjtë qoftë me ju të gjithë. Amin.

Në ishullin e Shenjtë të Patmosit, më 26 shtator 1995, ditën e kremtimit të fjetjes së Apostullit dhe Ungjillorit të Shenjtë dhe të lavdishëm Joan Theologu.

+ Patriku Ekumenik Vartholomeu,
Përfaqësues gjithashtu edhe i Fortlumturisë së Tij + Patrikut të Qytetit të Shenjtë të Jerusalemit dhe gjithë Palestinës, Diodori.

+ Papa dhe Patriku i Aleksandrisë dhe i gjithë Afrikës, Partheni

+ Patriku i Andiokisë dhe i gjithë Lindjes Ignati, i përfaqësuar nga Mitropoliti i Pergamit, Joan.

+ Patriku i Beogradit dhe i gjithë Serbisë, Pavli.

+ Patriku i Bukureshtit dhe i gjithë Rumanisë, Teoktisti

+ Patriku i Sofies dhe i gjithë Bullgarisë, Maksimi, i përfaqësuar nga Mitropoliti Gelasi.

+ Kryepiskopi i Mecetit dhe të Tbilisit dhe Patrik Catholicos i gjithë Gjeorgjisë, Ilia, i përfaqësuar nga Episkopi Nikomida Avraam.

+ Kryepiskopi i Justianianës së Re dhe i gjithë Qipros, Kristostomi

+ Kryepiskopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Serafimi

+ Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi

+ Kryepiskopi i Pragës dhe Mitropoliti i Çekisë dhe Sllovakisë, Dorotheu

+ Kryepiskopi i Karelisë dhe i gjithë Finlandës, Joani.