Në çdo lutje, ne nderojmë dhe lavdërojmë Zotin tonë Iisu Krisht së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Por, ngjarjet e mëdha të jetës së shenjtë të Zotit Krisht i nderojmë në ditë të veçanta. Këto janë të kremtet e levizshme dhe të palëvizshme të Zotit tonë Iisu Krisht (dhespotike).
Të kremtet dhespotike të palëvizshme janë:
a) Krishtlindjet
Më 25 dhjetor kremtojmë Lindjen si njeri të Birit të Perëndisë dhe Shpëtimtarit Krisht. Kremtojmë Lindjen Hyjnore, ngjarjen më të madhe në historinë e njerëzimit. Kisha e hershme e kremtonte Krishtlindjen së bashku me Theofaninë (Ujin e Bekuar). Kisha jonë e Shenjtë për të ndihmuar besimtarët që të marrin pjesë sa më mirë në këtë të kremte të madhe të Krishtërimit caktoi 40 ditë kreshmë para Krishtlindjes.
b) Rrethprerja e Zotit
Më 1 janar, 8 ditë pas Krishtlindjes kremtojmë Rrethprerjen dhe dhënien e emrit Zotit. Me Rrethprerjen për Foshnjën Hyjnore u zbatua ligji i Moisiut. Të njëjtën ditë kremtojmë kujtimin e Shën Vasilit të Madh.
c) Theofania e Shenjtë ose Uji i Bekuar
Më 6 janar nderojmë pagëzimin e Zotit tonë Iisu Krisht nga Shën Joan Pagëzori në lumin Jordan. Kjo e kremte mban emrin “Theofani”, sepse atëhere u shfaq shumë qartë Shën Triadha. Ati u dëgjua të thoshte: “Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer”. Biri dhe Fjala e Perëndisë pagëzohej dhe Shpirti i Shenjtë shfaqej si pëllumb. Atëhere marrim Ajazmën e Madhe, Ujin e Bekuar, prandaj ditën e mëparshme mbajmë kreshmë. Gjatë kohëve më të vjetra ditën e Theofanisë pagëzoheshin shumë të katekizuar.
d) Hyrja në Kishë e Zotit (Ipapandia)
Më 2 shkurt 40 ditë pas Lindjes Hyjnore nderojmë pritjen (Ipapandinë) e Foshnjës Hyjnore në Kishën e Solomonit nga plaku Simeon.
f) Metamorfoza e Shenjtë e Zotit
Më 6 gusht nderojmë Metamorfozën e shenjtë të Zotit, të cilën na e rrëfen Ungjilli i Shenjtë. “Fytyra e Atij ndriti porsi dielli dhe rrobat e Atij u bënë të bardha porsi drita”. (Matth. 17:2). Kjo Metamorfozë e Shenjtë e Zotit u bë që të forcojë besimin e apostujve duke parë një rreze të lavdisë së Tij Hyjnore. Dhe me të vërtetë kishin aq shumë nevojë për besim të fortë, sepse pas pak kohe do të shikonin Zotin të mbërthehej mbi kryq.
g) Ngritja e Kryqit të Nderuar
Më 14 shtator nderojmë Ngritjen e dyfishtë të Kryqit të Nderuar. Fillimisht Shën Elena kishte ngritur Kryqin e Nderuar në një podium të lartë në Kishën e Ngjalljes. E njëjta gjë u përsërit edhe më vonë. Perandori Irakli pas betejave fitimtare rimori kryqin nga duart profane të persëve që e kishin rrëmbyer. Këtë ditë mbajmë kreshmë dhe i falemi me adhurim Kryqit të Nderuar, simbolit të shpëtimit tonë. Këtë ditë Kisha jonë shpërndan borzilok si bekim. Kjo ditë na kujton gjithashtu edhe sakrificat që duhet të bëjmë për të pasuar Krishtin.