PROTESTË
Protestë e popullit të Gjinarit e nxitur nga proselitizmi i Kishës Katolike kundër besimit orthodhoks të këtij populli me besë shekullore që i rezistoi proselitizmit islamik dhe ateizmit komunist.
Kërkesë: Kërkojmë largimin pa kushte të personelit katolik nga zona e Gjinarit dhe për pezullimin e punimeve “bamirëse”.
Arsyet:
1. Në fillim u shfaqët si shoqëri bamirëse nëpërmjet “Karitasit”, kurse sot pa lejen e popullit vendas nuk jeni më shoqëri bamirëse, por, përfaqësues të qartë të klerit katolik që jetoni dhe veproni në një manastir të ndërtuar nga vetë Kisha Katolike, në një vend ku nuk ka asnjë katolik dhe prej aty bëni mësime katekizmi me fëmijët tanë, duke shfrytëzuar paditurinë e besimit dhe varfërinë materiale.
2. Në familjet tona për shkak të kësaj pune “të ndershme” po futet grindja midis fëmijëve dhe prindërve për çështje besimi dhe doktrine që ky popull e trashëgon nga shekujt e mundimshëm. Ju po prishni familjet tona, ku dhe vetë Kisha Katolike e cilëson familjen të shenjtë dhe shfaqje e Mbretërisë së Zotit në tokë.
3. Duke ndihmuar disa persona dhe familje të zonës tonë “me qëllim të mirë”, tek ne po fillon një përçarje e heshtur, e cila një ditë të shpejtë do të jetë një konflikt i hapur në dëm të vetë zonës, të dy kishave dhe në dëm të shtetit.
4. Duke bërë një ndërtim “bamirësie” në qendër të Gjinarit pa aprovimin e gjithë popullit, ju keni penguar ndërtimin e kishës tonë orthodhokse, të cilën ne si zot shtëpie kemi të drejtë ta ndërtojmë ku të duam, dhe i takon Kishës Orthodhokse që të pre-het e qetë në qendër të vendit, nga lufta shekullore me proselitizmin islam dhe ateizmin totalitar komunist. Ju po pengoni jetën tonë shpirtërore dhe kryerjen e Mistereve të Shenjta dhe kremtimeve në Kishën tonë Orthodhokse.
Veprimet tuaja po bien ndesh edhe me përpjekjet në këtë fund shekulli për bashkimin e dy kishave kaq shumë të lodhura nga ndarja, kur dhe vetë kreu i Kishës Katolike Papa Gjon Pali II shfaqi botërisht autokritikën e tij për veprimet e Kishës Katolike ndaj Kishës Orthodhokse. Dhe përqafimet e shenjta të Papa Gjon Palit të II me Tërëshenjtërinë e Tij Patrikun Ekumenik Vartholomeu janë një shenjë shprese për vëllazërimin e gjithë të krishterëve në botë.
Me dashuri në Krishtin populli i Gjinarit
Dt. 14.9.1995