EmailFacebookKontakt

“Jo mohim – por çuarje përpara e veprës së Imzot Nolit”

Në gazetën “Dita” të datës 20 gusht 1995, nën titullin “Janullatos kundër Nolit”, me nënshkrimin e Dr. Avram Qytezës, botohet një artikull ku sërish nxjerr kokën refreni tashmë i bajat i këtyre viteve të fundit i disa kalemxhinjve të paskrupullt, të cilët të fshehur pas pseudonimesh dhe shoqatash-fantazma kërkojnë të pengojnë rimbëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare. Pasi nuk u eci në rrugën e tyre të shpifjeve për të bërë të bardhën të zezë, për mosnjohjen e sukseseve që ka arritur KOASH-i, falë drejtimit të Kryepiskopit Anastas, siç janë pranimi në Këshillin Botëror të Kishave, ngritja dhe rimëkëmbja në një kohë rekord të objekteve të kultit orthodhoks të shkatërruara nga diktatura, çelja e seminarit të parë fetar në Durrës, përgatitja e rreth 70 klerikëve të rinj shqiptarë, që shërbejnë me përkushtim ndaj Zotit kudo në Shqipëri, nxjerrja e gazetës “Ngjallja” dhe një sërë botimesh me përmbajtje fetare etj. etj., në artikullin në fjalë autori mundohet që, gjoja në mbrojtje të figurës së Nolit edhe një herë të shkrehë bateritë e shkarkuara kundër KOASH-it dhe drejtuesit kryesor të saj.

Por ajo çka e shqetëson zotin “Qyteza” dhe shokët e tij nuk është aq mbrojtja e figurës dhe e veprës së Nolit, se sa atakim i drejtpërdrejtë i çdo arritjeje të orthodhoksisë në Shqipëri, të cilat atyre ju verbojnë sytë.

Shkrimit të Qytezës i ngjitet si bisht nga mbrapa edhe një koment, që i ngjan atij të një nxënësi të dobët. Nga ky koment del qartë se artikull-shkruesin nuk e shqetëson shumë fakti i ngritjes së komisionit për shqyrtimin e përkthimeve liturgjike, sesa largimi i Janullatosit si kryetar i KOASH-it dhe dëmtimi i orthodhoksisë së brishtë shqiptare. Nuk është hera e parë që përballë figurës plot reputacion mbarëkombëtar të Kryepiskopit Anastas ngrihet vreri i figurave të diskredituara, apo i sharlatanëve plangprishës dhe karieristë, si Arian Koja, që mendojnë se me studime gjysmake të dyshimta dhe me injorancën e tyre mund të marrin mbi supe përgjegjësira jetike për fatin e kishës sonë orthodhokse, kur dihet se edhe dorëzimi i tyre si dhjakonë varet nga nomet dhe ligjet që rregullojnë jetën e çdo kishe orthodhokse. Vetë Presidenti Berisha në intervistën e tij me gazetarët para pak kohësh pohoi një të vërtetë të madhe për çdo vend demokratik, atë të mospërzierjes së shtetit në normat dhe kanunet e kishës dhe të feve në përgjithësi.

Por le të kthehemi tek artikulli i “Qytezës”. Ai mundohet të argumentojë se Imzot Noli përktheu për 6 vjet 6 vepra themelore liturgjike, që i përpunoi për gati 40 vjet në përshtatje me kohën. Natyrisht që dihen tashmë vlerat e tij si përkthyes, pa qenë nevoja të na i kujtojnë. Dimë se Noli është ai që bëri Shekspirin, Servantesin, Ibsenin, Kajamin etj., të ligjërojnë dhe të flasin shqip. Dimë vlerat e këtyre veprave botërore të përkthyera prej tij, sikurse dimë edhe vlerësimet e larta të personaliteteve botërore si Bernard Shou, Nobert Jokli, Jan Sibelius etj. rreth tyre.

Imzot Noli, duke përkthyer shërbesën fetare në gjuhën shqipe me të vërtetë ka bërë një vepër me shumë vlerë të cilën asnjë nuk mund ta hedhë poshtë, por dihet po ashtu, se për shkak të vështirësive ekonomike nuk pati mundësi që të shqipërontë krejt shërbesën sipas ditëve të caktuara të çdo muaji, kështu që për praktikën e përditshme të kishës duhet të plotësohet edhe kjo nevojë, detyrë e vështirë të cilën po e kryen me kompetencë të plotë komisioni i ngritur për këtë qëllim nga ana e KOASH-it. Pra këtu nuk mund të bëhet fjalë për të zbehur veprën dhe figurën e Nolit ashtu sikundër pretendohet nga armiqtë e kishës sonë.

Gjithashtu, nga të gjithë dihet se përkthimet dhe ripërkthimet e një vepre nuk i zbehin vlerat e veprës, por shpesh e përsosin dhe e pasurojnë atë. Dihet p.sh., se Hygoi, Tolstoi, Eminesku, Bernsi etj. janë përkthyer përsosmërisht në shqip jo vetëm nga Vedat Kokona, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, por edhe nga Ismail Kadare, Dritëro Agolli, si edhe nga më të rinjtë, si Aurel Plasari etj. Dhe përkthimet e dyta pëlqehen po aq sa të parat në mos më shumë. Kjo nuk përjashton edhe përkthimet fetare të Nolit. Jo vetëm teologu i vjetër Beduli, por edhe një përkthyes i ri i talentuar mund t’i futet me pasion një pune të tillë.

Argumenti i dytë që sjell “Qyteza” është se Noli futi në përkthimet e veta fjalë latine në vend të atyre greke, si shmangie apo sakrilegj ndaj kishës greke. Nuk besojmë që Noli të jetë nisur vërtet nga ky qëllim. Ai e zotëronte mirë gjuhën greke, si të vjetrën dhe të renë. Ai e dinte se gjuha greke ishte gjuha e bukur e Omerit, Eskilit, Aristotelit, gjuhë nga e cila u frymëzuan edhe poetët latinë si Virgjili, Katuli, Ovidi, etj. Si njeri me kulturë, Noli nuk mund të mos e ndante gjuhën greke nga ajo e shovenëve të veçantë. Dihet se terminologjia greke dhe latine dominojnë jo vetëm në gjuhën e fesë, por edhe në atë të artit, të shkencës etj., duke u kthyer kështu në gjuhë të përbotshme. Si njohës i mjaft gjuhëve të huaja, ai mund të ketë futur, siç vepronte edhe në vjershat dhe për-kthimet letrare, mjaft fjalë të vetat, neologjizma e barbarizma.

Argumenti i tretë i “Qytezës” është se përkthimet e Nolit i shërbyen Kishës Orthodhokse shqiptare për afro një shekull. Kjo vlerë nuk mund të mohohet, prandaj delegacioni i KOASH-it, me në krye Kryepiskopin, gjatë vizitës së fundit në SHBA, shkuan edhe në varrin e Nolit, duke nderuar kujtimin e tij.

Përpara Nolit pati edhe të tjerë që u morën me përkthime fetare edhe pse nuk qenë klerikë, si Kristoforidhi, Xhuvani etj. Pas 1967-s diktatura komuniste, jo vetëm që nuk lejoi përkthimin e mëtejshëm të veprave fetare dhe pasurimin e punës së Nolit, por inkuizicioni i kuq dogji dhe veprat e përkthyera prej tij, krahas persekutimit, vrasjes dhe burgosjes të klerikëve orthodhoksë. Demokracia e gjeti kështu Kishën Orthodhokse, jo vetëm pa Kryepiskop, pa klerikë të thjeshtë, por edhe pa literaturën e domosdoshme fetare.

Sot, kur Kisha jonë po ripërtërihet, ka nevojë të ngutshme jo vetëm për një pasurim të literaturës së saj, por edhe për rishikimin e veprave të përkthyera më parë, aq më tepër kur po përgatiten teologët e përkthyesit e rinj të mirëfilltë, të pajisur me kulturën e duhur fetare.

Përfundimisht, mund të themi se një punë e tillë nuk është aspak një mohim i veprës së Nolit, por lartësim e çuarje më përpara e punës së nisur prej Tij.

Nga Lidhja e Intelektualëve të KOASH-it, Korçë