Kush do të imagjinonte vallë, se Organizata e Rinisë Orthodhokse e Shqipërisë, që nuk ekzistonte fare përpara 4 vjetësh, do të anëtarësohej në organizatën ndërkombëtare të të rinjve orthodhoksë “Syndesmos”.
Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Kryepiskopi Anastas, që në çastet e para si kreu i kishës tonë, tregoi kujdes të veçantë për të rinjtë, duke ditur se ata përbëjnë të ardhmen e kishës sonë dhe se ata ishin më të çliruar nga pikëpamjet komuniste, të cilat mbizotëruan për shumë vjet në vendin tonë.
Nga data 20-28 shtator 1995 në Manastirin e Kikut në Qipro, 100 km larg kryeqytetit Nikosia u mbajt e 15-ta Asamble e Përgjithshme e “Syndesmos”. Në të u adoptua statuti i ri i organizatës, u bënë zgjedhjet për president (Dhimitër Ikonom Angli) dhe për Këshillin drejtues. U theksua se “Syndesmos” është organizata kristiane rinore më e madhe në botë. Numri total i anëtarëve të tij është 118 organizata dhe Shkolla Theologjike nga 40 vende.
Më 25 shtator, anëtarët e Asamblesë votuan njëzëri pranimin e organizatës tonë. Kjo ngjarje, nga njëra anë, shpërbleu atë mund dhe përpjekje 4-vjeçare të Kishës sonë dhe në mënyrë të veçantë të të rinjve tanë dhe nga ana tjetër, na bën më shumë përgjegjës për ecjen përpara në të ardhmen.
J. Papadhopulli