Udhës së shenjtë të ngjalljes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në të gjithë aspektet e jetës së saj, iu bashkua tre vjet më parë në tetor 1992, si pasqyruese dhe plotësuese e saj edhe “Ngjallja”, gazeta e mesazhit kristian orthodhoks.
Në atmosferën e ngjalljes plot shkëlqim të besimit te Krishti, fillimit të mëkëmbjes institucionale të Kishës, nisjes së përpjekjes kolosale të ringritjes prej rrënojave dhe restaurimit të vendeve të kultit, gazeta e parë e KOASH-it në fazën e re të historisë së saj nuk mund të mbante emër tjetër veç atij të “Ngjalljes”.
“Mesazhin, paqen dhe frymën e Ngjalljes do të përpiqet të transmetojë në çdo numër të saj. Triumfi i dashurisë mbi urrejtjen, i së vërtetës mbi gënjeshtrën, i shpresës mbi zhgënjimin dhe frikën, është aspirata e saj. Dritën e Ngjalljes dëshiron të rrezatojë dhe të përhapë me artikujt dhe lajmet e saj,” – theksonte Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas që në numrin e saj të parë.
Me temë, vizion dhe frymëzim të saj Ngjalljen, për tre vjet gazeta “Ngjallja” përpiqet që të afrojë besimtarët më shumë tek Shpëtimtari ynë Zoti Krisht, të sjellë lexuesin gjithmonë e më afër burimit të ujit të kristaltë të jetës, spiritualitetit orthodhoks, ta njohë njeriun me jetën dhe veprën e shenjtorëve dhe të përcjellë rrezatimin e tyre në çështjet e mprehta që preokupojnë njeriun dhe shoqërinë sot.
Me trajtimin e këtyre çështjeve, të para gjithmonë nga prizmi aktual dhe historik, përpiqet që të njohë besimtarin gjithmonë edhe më shumë me Kishën e Tërëshenjtë Orthodhokse, “Pemën e vjetër që mugullon plot jetë, krasitur nga persekutimi, vaditur me gjak” po që është “Ngjallja e vazhdueshme e vetvetes”, siç e cilëson poeti i njohur John Betjeman.
Falë kujdesit të pandërprerë të Fortlumturisë së Tij Anastas, “Ngjallja” rritet gjithmonë në përpjekjen dhe aspiratat e saj. Tani ka shtypshkronjën e vet. Botohet me ngjyra. Numri i faqeve është rritur. Bashkëpunëtorët po ashtu. Po mbi të gjitha rritet vazhdimisht numri i besimtarëve tek të cilët ajo arrin, jo vetëm brenda vendit, por kudo në botë ku jetojnë orthodhoksë shqiptarë.
Objektivat e saj janë edhe më të larta. Shpresa dhe përpjekja e saj është që edhe rezultatet të jenë të tilla. Natyrisht gjithmonë me ndihmën e gjithë juve, lexuesve të saj. Duke ju falenderuar për mbështetjen, ndihmën dhe kontributin tuaj, duke ju siguruar për përpjekjen e tij të vazhdueshme për përmirësim të mëtejshëm si të përmbajtjes ashtu dhe formës së saj Këshilli Botues ju fton të gjithë lexuesit për vazhdimin dhe rritjen e bashkëpunimit frytdhënës.
“NGJALLJA”