EmailFacebookKontakt

Pranë Shën Kozmait

Kolkondasi, ky vend i bukur me një mrekulli brenda në gjirin e tij, ditën e 24 gushtit u zgjua prej gjallërisë e haresë.

Shumë besimtarë nga Fieri, Tirana, Lushnja, Patosi, si edhe nga fshatrat e zonës përreth, mbërritën bashkë me rrezet e para të diellit, këtu, në vendin Hyjnor, në mrekullinë e Kolkondasit, në Kishën e Shën Kozmait. 24 gushti, dita e martirizimit së tij, mbledh çdo vit në këtë vend besimtarë të panumërt, të cilët përkujtojnë dhe festojnë.

Mallëngjimi dhe krenaria të pushtojnë, sapo prek këtë tokë, në të cilën Shën Kozmai ndenji, predikoi, bëri mrekulli dhe udhëhoqi shpirtra në rrugën drejt Parajsës. Po kisha? Në mes të gjelbërimit, ajo qëndron e bukur dhe e thjeshtë, Hyjnore dhe e ëmbël, krahëhapur dhe misterioze, sepse në themelet e saj janë mbrujtur Fjala, profecitë, mësimet, dashuria e Shën Kozmait për të gjithë njerëzit, por veçanërisht për “trashëgimtarët e Perëndisë” në këtë vend, të cilin ai e bekoi.

Pranë kësaj kishe, ndodhet kisha e Shën Marisë, e cila fatkeqësisht është e shkatërruar, por ikonat e pikturuara në murin e vetëm ekzistues, flasin dhe kërkojnë, qirinjtë e ndezur në tokën e lënduar digjen duke lotuar.

Pranë dy kishave, një dhomë e brenda saj, një varr. Sipër tij, rrotull e kudo shihje lule, qirinj dhe dhurata modeste të panumërta. Eshtë varri i Shën Kozmait. Brenda, ka qenë Lipsani i Shenjtë, por tani s’është më, e megjithatë, njerëzit besojnë dhe ndiejnë njësoj, sikur ai të ndodhej aty. Lutjet e tyre, prekjet, hapat, në atë vend protestonin heshturazi. Dashuria e pakufishme, që shprehej dukshëm për Shën Kozmanë pyeste: “Përse?”

Besimtarët, i vazhduan lutjet në Liturgjinë Hyjnore, e cila u mbajt nga priftërinjtë, at Justini, at Theologu, at Rafaili, at Lili dhe dhiakonët Kostandin, Arqile, Athanas. Temjani dhe lutjet fluturonin drejt Perëndisë në qiell, ndërmjetimet e Shën Kozmait ishin krahët e tyre atë ditë. Qirinjtë e panumërt flakëronin e digjeshin duke treguar dashurinë e njerëzve për shenjtorin.

Përshtypje të bënte numri i madh i të rinjve atë ditë. Ata me lutjet e tyre, kërkonin bekimin e shenjtorit dhe tek i shihje, kuptoje dashurinë, admirimin e tyre, për atë njeri, që u bë me Hirin e Perëndisë, dritë udhërrëfyese për njerëzit në kohën e errët të ndryshimeve, u bë një Arkë e dytë për shpirtrat e shqiptarëve në kohën e dhimbshme të humbjes. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, At Justini, predikoi për jetën dhe veprën e Shën Kozmait. Pasi morën Kungimin e Shenjtë dhe Naforën besimtarët e vazhduan festën në mjediset rrotull kishës. Meloditë tradicionale dhe vallet ia shtuan harenë kësaj dite. Në ikje të gjithë bënin kryqin duke shpresuar tek Perëndia, që vitin e ardhshëm të jenë përsëri aty. Gjithashtu duke uruar, që me bekimet e Perëndisë, kisha të mos kthehet në një muze, por të rijepet dhe të lejohet rindërtimi i saj.

Rendën shpejt, çastet e bukura të kësaj dite. Dita e martirizimit së Shën Kozmait, dha jetë dhe ngazëllim, për shpirtrat e besimtarëve, edhe kësaj here. Solli bekimet e Zotit midis nesh, me ndërmjetimet e Shën Kozmait, sepse, “Ai aq shumë e deshi Shqipërinë dhe shqiptarët, sa e dha njërin prej bijve të tij shenjtorë, që të ndriçonte e të flijohej në Shqipëri!”

Efrosina Noti