EmailFacebookKontakt

Shkrimi i Shenjtë në 2092 gjuhë

Këtë lajm veçanërisht të gëzueshëm e botoi kohët e fundit revista e Shoqërive të Bashkuara Biblike “Scripture Language Report”.

Sipas revistës së sipërpërmendur, të paktën një nga librat e Shkrimit të Shenjtë disponohet në 2092 nga rreth 6000 gjuhët dhe dialektet e botës. Shkrimi i Shenjtë i plotë është përkthyer në 341 prej këtyre gjuhëve ndërsa vetëm Dhiata e Re në 822 gjuhë.

Revista u referohet përkthimeve dhe botimeve të organizmave të ndryshme që kanë për qëllim të bëjnë përdorimin e Shkrimit të Shenjtë të mundur për çdo njeri.

Botimi i Shkrimeve të Shenjta në cilëndo gjuhë përbën eveniment të rëndësishëm si për përdoruesit e asaj gjuhe ashtu edhe për kulturën që përfaqësojnë. Fakti se Shkrimi i Shenjtë ose një pjesë e tij dorëzohet në një gjuhë tjetër përbën një eveniment unikal që e meriton proçedurën përkthyese shumëvjeçare.

Vlen të përmendet këtu, pritja e ngrohtë që i rezervuan tetorin e kaluar banorët e Ekuadorit botimit të Biblës në gjuhën e tyre. Me aktivitete analoge u prit edhe botimi i Biblës në gjuhën vendase në Gabon të Afrikës nga Shoqëria Biblike e Kamerunit. Por, edhe Europa kishte pjesën e vet në këtë gëzim shpirtëror. Në tetor 1994, Bibla u botua në gjuhën e baskëve, në Spanjë dhe u karakterizua nga shtypi vendas si “thesar i pakrahasueshëm”.

Po, në sa gjuhë të tjera bëhet përkthimi i Shkrimit të Shenjtë apo pjesë të Dhiatës së Vjetër a të Re?

Sipas revistës në fjalë ka qarkulluar Shkrimi i Shenjtë edhe në gjuhën e përbashkët mikroneziane, ndërsa Dhiata e Re botohet për herë të parë në gjuhë që fliten në vende si Etiopia, Kenia dhe India. Pjesë të veçanta të librave të Shkrimit të Shenjtë janë përkthyer edhe në 48 gjuhë në të cilat nuk ka ende përkthim të plotë të Dhiatës së Vjetër a të Re, gjuhë të cilat fliten në Liberi, Argjentinë dhe Turkmenistan.

Marrë nga revista “Scripture Language Report”