Po i vjen fundi edhe “odisesë” së ndërtimit të Kishës orthodhokse në Shkodër. Sorollatjet e shumta të Komunitetit Orthodhoks të Shkodrës në dyert e pushtetit lokal po zgjidhen nga vetë Kryesia e Kishës Autoqefale Orthodhokse, nga puna e madhe e Kryeepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, i cili mundësoi fondet për të blerë tokën ku do të ndërtohet kjo Kishë.
Kanë qenë të pajustifikueshme pengesat që janë nxjerrë deri më tani, të cilat detyruan blerjen në rrugë private të tokës për ndërtimin e Kishës së re, në një kohë që ajo e ka truallin e saj të dokumentuar ligjërisht. Argumentet që janë përdorur nga organet e pushtetit në Shkodër, nga Ministria e Mbrojtjes nuk përligjen, por të krijojnë përshtypjen se ka munguar dëshira e mirë. Justifikimet se në Shtëpinë e oficerëve banojnë familje janë kontradiktore me realitetin, që dëshmon kthimin e katit të parë të ndërtesës në Bar-restorant.
Në këto rrethana, të krijuara gjatë pesë viteve, u detyrua të siguroheshin me vështirësi fonde për ndërtimin e saj. Qëllimi kryesor është që orthodhoksët e Shkodrës ta ndiejnë vehten të barabartë me qytetarët e besimeve të tjera. Të ushtrojnë bindjet fetare si njerëz, në mjedisin e tyre kishtar dhe jo në rrugë apo në salla kinemaje.
Luiza Vujoshi