Disa të dhëna mbi jetën e piktor Onufrit dhe Nikollës
Në verë të vitit 1951 një ekspeditë shkencore e ish-Institutit të Shkencave zbuloi për herë të parë në kishën e Shën Kollit të katundit Shelcan (Shpat i Elbasanit) një mbishkrim, i cili na dha për herë të parë emrin e piktorit tonë të madh, Onufrit. Ja teksti i mbishkrimit: “Kur të ngresh duart e tua te Perëndia o meshtar i Perëndisë, më përmend edhe mua mëkatarin e të paditurin piktor Onufrin”. Ky mbishkrim gjendet mbi faqen e murit verior të kishës, brenda në kungë, pranë thisiasterit, i pikturuar me gërma bizantine të mëdha e të zeza.
Gjatë punës së saj ekspedita zbuloi edhe dy mbishkrime të tjera të Onufrit në Kishën e Shën e Premtes në katundin Valësh (Shpat i Elbasanit), njëri nga të cilët ka po atë tekst që thamë më sipër, por me këtë shtojcë: “… më përmend dhe mua mëkatarin Onufër, prift, piktor dhe protopapë të Neokastrës”, kurse mbishkrimi tjetër në këtë kishë mban datën e pikturimit 1554.
Në verë të vitit 1956 ekspedita e ish Institutit të Shkencave zbuloi në një kishë të vogël të Beratit (Kisha e Shën Todrit në Kala) edhe 6 afreske të tjera të Onufrit, me gjithë që këto punë nuk përmbajnë ndonjë mbishkrim të autorit. Po në këtë kohë, ekspedita zbuloi në Berat (në Kishën shumë të moçme të Shën Marisë Vllaherna), një mbishkrim që na bën të njohur piktor Nikollën si bir të Onufrit, me këto fjalë: “dhe piktori (është) Nikolla i biri i Onufrit, viti 1578”. Me këtë rast piktor Nikolla për të parën herë identifikohet si i biri i Onufrit.
Gjatë qershorit të atij viti ekspedita e Institutit të historisë dhe filologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, zbuloi në Kishën e Shën Kollit në katundin Kurjan (Fier) një mbishkrim që vërteton se Nikolla, i biri i Onufrit, ka pikturuar edhe në këtë kishë bashkë me një piktor, më të parë nga ky, me emrin Joan, pa të dhëna mbi prejardhjen e këtij. Burime që të na flasin mbi këta piktorë deri më sot janë vetëm mbishkrimet e tyre të dhëna më sipër dhe afresket e tyre.
Nga këta mbishkrime nuk del në mënyrë të drejtpërdrejtë prejardhja e Onufrit, por vetëm se ai ka pasë qenë prift i martuar me fëmijë dhe i graduar kryeprift i Neokastrës (Elbasanit). Po të ishte prej ndonjë vendi më të dëgjuar se Neokastra ai duhej ta theksonte këtë gjë në mbishkrim, por duhet të jetë nga Elbasani ose prej ndonjë vendi më të vogël afër këtij.
Mbishkrimi i Nikollës nuk na jep asnjë shpjegim mbi Onufrin, të atin e piktorit, ndofta sepse Onufri si piktor në atë kohë, ka qenë i njohur, prandaj Nikolla, me frazën e shkurtër “bir i Onufrit”, jep të kuptohet se i biri i kujt prindi është.
Gjithashtu mbi vitin e lindjes dhe të vdekjes së Onufrit dhe të birit të tij Nikollës nuk mund të flitet me saktësi. Prej Onufrit kemi vetëm vitin e pikturimit të Kishës së Shën e Premtes në Valësh, 1554, dhe prej Nikollës vitin e pikturimit të Kishës së Shën Marisë Vllaherna në Berat, 1578. Prej këtyre vjetëve del se piktorët, atë e bir, Onufri me Nikollën, kanë jetuar edhe punuar në shek. XVI.
Veprimtaria e ikonografëve
Nga ç’është ruajtur deri më sot, dimë se Onufri ka pikturuar tre kisha: atë të Shën Kollit në Shelcan, të Shën e Premtes në Valësh dhe të Shën Todrit në Kala të Beratit.
Këto dy kisha të fundit ruajnë afreske të Onufrit, kurse Kisha e Shën Kollit në Shelcan në pjesën lindore të saj ka edhe pak afreske të një dore tjetër, ndofta më të parë se Onufri. Veç kësaj, në pjesën perëndimore të kishës së Shelcanit, mbi afresket e Onufrit ka pikturuar edhe një piktor anonim, një shekull më vonë se Onufri, siç e vërteton mbishkrimi me datimin 1625 mbi portën perëndimore brenda kishës, si dhe tematika e stili i afreskeve të kësaj pjese.
Afresket e vjetra të pjesës lindore të kishës së Shelcanit në krahasim me ato të Onufrit janë artistikisht më të dobëta. Ato janë të stilit thjesht bizantin dhe ndryshojnë shumë me ato të Onufrit (p.sh Shën Kolli, Shën Joan Pagëzori dhe disa skena të tjera). Mendojmë që këto të jenë punë e ndonjë mjeshtri para Onufrit.
Afreskat më të mira të kishës së Shelcanit, si p.sh Shën Maria në ikonostas, profetët, keruvimet dhe serafimet, dhiakonët, disa nga skenat me afreske të mëdha etj., janë të dorës së Onufrit, i cili është i vetmi që përmendet si piktor në mbishkrimin që ndodhet në kungë të kishës.
Kisha e Shën Todrit në Berat ruan vetëm gjashtë afreske të Onufrit në apsidë dhe në faqen e murit lindor në kungë, të tjerat ose kanë rënë krejt me gjithë suvanë ose gjenden të mbuluara nën të.
Vepra të piktor Nikollës, të birit të Onufrit, gjejmë në Kishën e Shën Marisë Vllaherna në Berat dhe në Kishën e Shën Kollit në Kurjan të Fierit. Kishën Vllaherna Nikolla nuk e ka pikturuar të gjithë. Përveç punëve origjinale në kungë e gjetiu, në të ai ka pikturuar mbi afreske të vjetra të dëmtuara; diçka nga të vjetrat të paprekura prej dorës së Nikollës ruhen edhe sot. Ato janë të shek XIV. Në kishën e Kurjanit Nikolla ka bashkëpunuar me një piktor tjetër me emrin Joan, prejardhja e të cilit nuk njihet akoma. Veç në këto dy kisha, vepra të piktor Nikollës nuk janë gjetur më në asnjë vend tjetër në Shqipëri deri më sot.
Vallë e gjithë veprimtaria e këtyre piktorëve në këto dy kisha u derdh? Dihet se jeta e një piktori jep të paktën dhjetëfishin e punës që është ruajtur, si prej Onufrit ashtu edhe prej Nikollës. Pra, me shumë të drejtë mund të mendohet se veprimtaria e tyre ka pasë qenë më e madhe se ajo pjesë që është ruajtur deri më sot në ditët tona, dhe se këto që ruhen deri më sot janë vetëm fragmente të veprimtarisë së tyre.
Shekulli XVI tek ne nuk u shqua ndonjë veprimtari ndërtimi për shkak të gjendjes së vështirë politike dhe ekonomike, prandaj duhet të mendohet që edhe piktorët tanë, Onufri, Nikolla dhe Joani, veprimtarinë e tyre të mos ta kenë zhvilluar në godina të reja. Me gjithë shtypjen nga ana e pushtuesve turq, populli ishte me shpirt të ndem për kryengritje. Kjo gjëndje shpjegon faktin pse piktorët tanë, Onufri me Nikollën, veprimtarinë e tyre ta kenë zhvilluar nëpër kisha të vjetra e të vogla, dhe më tepër nëpër paraklise, larg rrugëve kryesore e komunikacionit, në thellësitë e malësive, të cilat atëhere u qëndronin trimërisht pushtuesve otoman.
Tematika e Onufrit dhe Nikollës
Si Onufri dhe Nikolla kanë përdorur tematikën që përdorej në kishat e vogla të katundeve. Kjo tematikë trajton profetët me tekstet e profetizimit në duar, skena me festat e mëdha të Krishtit, me martirët e Kishës, me hierarkët e mëdhenj, me asketët e dalluar, me keruvimet e serafimet etj. Onufri përveç temës “Mandili i shenjtë” që është koka e Krishtit mbi një rizë, përdor dhe temën Krishti në tri fytyrë, që është në përgjithësi një temë e rrallë.
Këto tema tek Onufri e Nikolla kanë një radhitje që është bërë e zakonshme nëpër kishat e vogla në formë katëkëndësh këndëdrejtë: faqja e murit nën tavan fillon me një brez të ngushtë me profetët deri në brez (për të treguar se këta kanë profetizuar jetën e Krishtit), nën to vjen brezi me skenat e mëdha nga jeta e Krishtit (si realizim i profecive të profetëve), brezi i tretë është i ngushtë me martirët në medaljone deri në brez, si dëshmues të parë të jetës së mësimeve të Krishtit dhe në fund, brezi më i madh përmban shenjtorë të dalluar nga radhët e apostujve, të martirëve, të etërve, të asketëve, të gjithë në këmbë (strategët mbi kuaj) në tansi dhe gati në madhësi natyrale.
Megjithqë Onufri ruan rregullin e vjetër të radhitjes së skenave në kishë, ai ka ditur që skenave të pikturuara veç e veç t’u japë një unitet, t’i harmonizojë në një të tërë. P.sh. Kryedhiakon Stefani, në faqen e murit verior në altarin e Kishës së Shën e Premtes në Valësh, është drejtuar nga Krishti i vdekur, i zbritur nga kryqi, dhe e vështron atë me nderim: në anën tjetër të skenës “Zbritja nga kryqi” është stilit Danieli mbi stilin (pirgun) e tij, i cili e vështron skenën i pikëlluar. Mbi skenën e kryqëzimit, po në këtë kishë, jashtë kungës, është një profet i panjohur, që mban në dorë profetinë mbi kryqëzimin dhe e tregon me gisht Krishtin të kryqëzuar. Hierarkët në kungë që janë pikturuar njëri pas tjetrit, të kthyer nga altari, që është pikturuar me “dhuratat” (kungatën) në apsidë, duken sikur janë duke shkuar drejt altarit. Në përgjithësi, po të vështrohen me vëmendje, të gjitha afresket kanë lidhje kronologjike e hierarkike në mes të tyre. Kjo tematikë dhe radhitje vazhdon në kishat e vogla dhe gjatë shekujve të mëvonshëm.
Afresket e Onufrit dhe të Nikollës i cilëson vizatimi i përpiktë, përpjestimet e rregullta, plastika e lirë, pozicionet dhe lëvizjet natyrore, gama harmonike e ngjyrave, dhe mbi të gjitha shprehja e thellë plotë jetë e fytyrave. Në fytyrat e hierarkëve vërehet një butësi, një ngrohtësi shpirtërore, sikur të mëshirojnë, vërehet një mençuri e lartë; piktorët sikur kanë dashur të tregojnë me këtë transformimin e hierarkëve në njerëz të shenjtë. Këto tipe Onufri dhe Nikolla i kanë marrë nga populli ynë, sidomos nga ai i Beratit, të cilin e cilëson butësia natyrale.
Vlera e madhe e këtyre piktorëve tanë nuk qëndron vetëm në cilësitë artistike që theksuam. Ata njëkohësisht kanë pasë qenë dhe zotërues të mirë të teknikës së vështirë të punimit të afreskut dhe të harmonizimit të të gjitha skenave në një lidhje kronologjike dhe ideologjike, në një ansambël me qëllim të vetëm, për të bërë efektin didaktik dhe artistik. Këtë e dëshmojnë punët e tyre me ngjyrat e freskëta e të gjalla që ruhen deri më sot dhe radhitja harmonike e skenave me lidhje ideologjike, konform dhe me format arkitektonike të godinës.
Theofan Popa