Krishti i përmblodhi të gjitha porositë e Dhiatës së Vjetër, në dy porositë më të mëdha:
1. Duaje Perëndinë tënd me gjithë zemër e me gjithë shpirt, me gjithë mend e me gjithë fuqinë tënde.
2. Duaje të afërmin tënd si veten tënde.
Dhiata e Re është më e përsosur se e Vjetra në të kuptuarit e dashurisë ndaj Perëndisë dhe ndaj të afërmit. Kjo s’është aspak çudi, sepse në Dhiatën e Re edhe Perëndia e ka zbuluar në mënyrë më të përsosur dhe ka krijuar e paraqitur një njeri më të përsosur. Perëndia është shfaqur si Dashuri: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Me t’u bërë Perëndinjeri, Biri i Perëndisë tregoi dhe zbuloi se edhe njeriu është krijuar për të qenë diçka më i përsosur si njeri, domethënë Perëndinjeri. Por, për kuptimin dhe krijimin e kësaj, është i domosdoshëm një besim më i thellë dhe më i gjerë, si dhe një dashuri e pakufishme.
Dhiata e Re është më e përsosur se e Vjetra, sepse Izraelitët të afërm të vetin quanin vetëm bashkatdhetarët e vet, që i kishin bërë për vete. Besimtarët e Dhiatës së Re si të afërm të vetin shohin të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës, besimin apo kombësinë.
Dhiata e Re është më e përsosur se e Vjetra, jo vetëm nga përhapja e Dashurisë në drejtim të gjithë njerëzve, por edhe nga fuqia e dashurisë: i krishteri e do të afërmin e vet, jo vetëm siç do veten, por edhe më shumë se Vetveten. Ai e do të afërmin ashtu siç na ka dashur neve Iisu Krishti, i Cili ka flijuar Vetveten për ne dhe për shpëtimin tonë. Zoti u tha nxënësve të vet, që jo vetëm të duan të afërmit si veten e tyre, por që t’i duan ata, ashtu siç na ka dashur Ai ne (“Ungjilli” sipas Joanit, kap. 13, vargu 34).
Zoti Krisht na ka dashur ne më tepër se Veten e vet. Ai për shkakun tonë e uli vehten sa që vdiq i kryqëzuar. Këtë dashuri hyjnore, të pastër e vetmohuese të Zotit Krisht, ne e dimë sipas asaj që bëri “duke dhënë shpirtin për ne”. Për këtë arsye, sipas porosisë së Tij, edhe ne “jemi borxhlinj për të dhënë shpirtin tonë për vëllezërit” (Letra e parë e Joanit, kap. 3, vargu 16). Tashmë kjo është dashuria e vërtetë, e përsosur, që nuk kërkon shpërblim.