EmailFacebookKontakt

Qëllimi i Trupëzimit të Krishtit

Murgu: – Të lutem, jerond, më thuaj cili qe qëllimi i trupëzimit të Zotit?

Jerondi: – Çuditem me ty vëlla, sepse përditë dëgjon simbolin e besimit dhe me pyet për të. Por të them se qëllimi i trupëzimit të Zotit ishte shpëtimi ynë.

Murgu: – Çfarë nënkupton me këtë jerond?

Jerondi: – Që në fillim që u krijua nga Perëndia, njeriu u vendos në Parajsë, por që kur shkeli porosinë, iu nënshtrua prishjes edhe vdekjes. Më pas, megjithëse në të gjitha brezat e mëvonshëm udhëhiqej nga kujdesi i shumëllojshëm i Perëndisë, ai këmbëngulte dhe shkonte drejt më të keqes, i udhëhequr nga pasionet e ndryshme trupore, në deshpërimin e jetës. Për hir të njeriut Biri i Vetëm i Perëndisë,

Fjala e përjetshme prej Perëndisë At, burimi i jetës dhe i pavdekësisë, u shfaq ndër ne të errësuarit që prisnim vdekjen. U trupëzua nga Shpirti i Shenjtë dhe Virgjëresha e Tërëshenjtë dhe na tregoi mënyrën e jetës së perëndishme. Dha porositë e Tij të shenjta. Premtoi Mbretërinë e qiejve për gjithë sa jetojnë sipas tyre dhe kërcënoi me ferr të përjetshëm ata që do t’i shkelin. Vuajti Pësimin shpëtimtar, u ngjall së vdekurësh dhe na fali kështu shpresën e Ngjalljes dhe jetën e përjetshme. Me bindjen e Tij zgjidhi dënimin e mëkatit stërgjyshor dhe me vdekjen e Tij mposhti fuqinë e vdekjes që “sikundër të gjithë vdesin më Adamin, kështu edhe te gjithë do të marrin jetë më Krishtin” (I Kor. 15,22). Dhe pasi u ngjit në qiejt dhe ndenji në të djathtë të Atit, dërgoi Shpirtin e Shenjtë, si fejesë me jetën e përjetshme, për ndriçim dhe shenjtërim të shpirtrave tona dhe fuqizim të gjithëve sa përpiqen për shpëtimin e tyre, duke ruajtur porositë e Tij. Ky ishte, me pak fjalë, qëllimi i Trupëzimit të Krishtit.

Shën Maksim Omologjeti