Perëndia krijoi njeriun dhe e vendosi mbi dhe “si një engjëll tjetër, lutës tokësor dhe qiellor” të Krijuesit të tij, sipas fjalëve të shën Grigor Theologut. Adami, shkruan shën Vasili i Madh, jetonte brenda në Parajsë ku “e donte shumë Perëndinë dhe mirëbërësin e tij… i Cili i kishte dhënë pushtet të ngjashëm me atë të Engjëjve dhe e kishte bërë gostar me Kryengjëjt dhe dëgjues të zërit të Tij”.
Njerëzit e parë, ashtu si Engjëjt e shenjtë, jetonin praninë e Perëndisë, dëgjonin zërin e Tij, flisnin me Të. Shën Joan Gojarti (Krisostomi) shkruan se njeriu brenda në Parajsë “shijonte bashkëbisedimin me Perëndinë dhe gëzohej që mund t’I drejtohej me guxim Zotit. Engjëjt, vazhdon shën Joani, i dridheshin Perëndisë, Keruvimet dhe Serafimet nuk guxonin ta vështronin dhe njeriu bisedonte bashkë me Të si miku me mikun”. Ky komunikim i njeriut me Perëndinë është lutja dhe vazhdonte për aq kohë sa njeriu e donte Perëndinë dhe i bindej vullnetit të Tij hyjnor.
Me mosbindjen në vullnetin e Perëndisë njerëzit e parë u larguan nga dashuria atërore e Perëndisë dhe kështu u privuan nga komunikimi me Krijuesin e tyre. Humben kështu guximin që kishin për të folur me Perëndinë At, derisa Krishti u bë njeri dhe risolli njeriun në Shtëpinë atërore, domethënë në Parajsë. Pas Kryqëzimit dhe Ngjalljes së Krishtit, mund të afrohemi me guxim në fron të Hirit, që të marrim përdëllim, edhe të gjejmë Hir për ndihmë në kohët e nevojës.
Lutja është takimi i njeriut me Perëndinë dhe komunikimi me Të. Dashuria është rruga që na çon te Perëndia dhe Porta nga hyjmë në Shtëpinë e Tij të shenjtë. Lutja, thotë shën Joan Gojarti, “është ndriçimi i shpirtit, njohja e vërtetë e Perëndisë, ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve, shëruesi i pasioneve, ilaçi i sëmundjeve, qetësia e shpirtit, udhërrëfyesi që çon në qiell… Lutja hap dyert e qiejve, i kalon Engjëjt, shkon përtej Froneve dhe Zotërive, i kalon Keruvimet dhe pasi të arrijë mbi gjithë krijesën, shkon pranë Shën Triadhës së paafrueshme. Aty i falet Perëndisë, aty bëhet e denjë të bëhet bashkëbiseduese me Mbretin qiellor. Nëpërmjet lutjes shpirti që u lartësua në qiejt, përqafon Zotin në një mënyrë të papërshkruar, duke dashur të shijojë qumështin hyjnor, ashtu si foshnja përqafon të ëmën e vet. Lutja është dëshirë drejt Perëndisë dhe dashuri e papërshkrueshme”.
Për t’u lutur me të vërtetë duhet të duam Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë fuqi dhe gjithë mendje. Dashuria për Zotin hap rrugën e lutjes. “Ai që do me të vërtetë Perëndinë, shkruan Shën Maksim Omologjeti, lutet pa shpërqëndrim”.
Oshënar Theodhori i Edesës na shpjegon përse ai që do Perëndinë lutet pa ndërprerje. Në lidhje me të shkruan: “Njeriu dëshiron të gjendet vazhdimisht me atë që do dhe i neveriten të gjitha sa e pengojnë të bashkëbisedojë dhe të shoqërohet me të. Eshtë, pra, e qartë se ai që do Perëndinë dëshiron me zjarr të shoqërohet me Të. Kjo bëhet me lutjen e kulluar… Ajo na bën të afërt dhe miq me Zotin… Perëndisë i lutet ai i cili largoi nga mendja e vet çdo ligësi dhe është i lënduar në mënyrë të pashërueshme nga dashuria hyjnore”.
Kur zemra digjet pandërprerë nga dashuria për Zotin i lutet vazhdimisht të Dashurit. Atëhere zemra jonë hapet drejt Krishtit, ashtu siç hapet lulja drejt diellit dhe lë të përhapet aroma e mirënjohjes sonë ndaj dashurisë së Tij. Kjo derdhje e zemrës sonë është lutja: Derdh shpirtin tim përpara Zotit. Domethënë, “gjithë veten time ia dorëzova Perëndisë, bëra lutjen time me gjithë shpirt dhe gjithë fuqi”.
Me lutjen duhet t’i ofrojmë Krishtit dashurinë tonë dhe atëhere konstatojmë se nga dashuria e Tij marrim gjithçka.